Ministrat e jashtëm të Armenisë dhe Azerbajxhanit u takuan për bisedime në Moskë këtë të premte, në një takim që u drejtua nga ministri i Jashtëm rus, Sergei Lavrov.
Dy vendet janë në konflikt për rajonin e Nagorno-Karabakut, i cili ka një rëndësi kulturore për të dy shtetet.
Nagorno-Karabaku, njihet ndërkombëtarisht si pjesë e Azerbajxhanit, por rajoni me një popullsi prej 120 mijë banorësh, kryesisht armenë etnikë u shkëput nga Bakuja në një luftë në fillim të viteve 1990.
Zoti Lavrov u tha homologëve se Rusia ka lidhje me Kaukazin e Jugut, ku ndodhet rajoni dhe Moska ishte shumë e interesuar që atje të ketë paqe dhe stabilitet.
“Veç nevojës për të stabilizuar situatën në Nagorno-Karabak dhe në kufi, duhen zgjidhur problemet humanitare, të zhbllokohen linjat e transportit tregtar dhe natyrisht të bihet dakord për marrëveshjen e paqes, për të cilën të dyja vendet po punojnë në mënyrë aktive”, tha zoti Lavrov.
Ministri i Jashtëm I Azerbajxhanit, Jeyhun Bayramov tha se, që prej vitit të kaluar, procesi i bisedimet nuk ka përparuar. “Në parim, mbështesim faktin se që prej fillimi të majit, dinamikat kanë qenë shumë pozitive”, tha ai.
Ndërsa ministri i Jashtëm i Armenisë, Ararat Mirzoyan, vuri theksin tek parandalimi i përshkallëzimit të tensioneve.
“Dua të vë në dukje rendësinë për të parandaluar përshkallëzimin e tensioneve dhe për të mos lejuar përdorimin e forcës, për çka, kanë rënë dakord udhëheqësit tanë. Ka edhe një deklaratë për këtë”, tha ai.
Pas rënies së Bashkimit Sovjektik, në Nagorno Karabak shpërtheu një luftë në shkallë të gjerë, që përfundoi në 1994.
Forcat etnike armene të mbështetura nga Armenia morën kontrollin jo vetëm të Nagorno Karabakut, por edhe zonave përreth.
Në shtator të vitit 2020, Azerbajxhani ndërmori një sulm në shkallë të gjerë në rajon dhe për 6 javë me radhe pati luftime të ashpra.
Luftimet u ndërprenë pas një marrëveshjeje armpëpushimi, të mbështetur nga Rusia, sipas të cilës, Azerbajxhani rifitoi kontrollin e Nagorno –Karabakut dhe territorit përrreth, që më parë kontrollohej prej armënve.
Rusia ka dërguar forca paqeruajtëse për të mbajtur situatën në kontroll, përfshirë korridorin Lachin, e vetmja rrugë në territorin e Azerbajxhanit që lidh Armeninë me rajonin e Nagorno-Karabakut.
Të dy palët, po zhvillojnë bisedime për një marrëveshje paqeje dhe ministri i jashtëm rus la të kuptohet se po punojnë mbi përmbajtjen e marrëveshjes.