Lidhje

Deutsche Bank pranon t’i paguajë 75 milionë dollarë viktimave të Epsteinit


"Deutsche Bank" ka rënë dakord të paguajë 75 milionë dollarë si pjesë e një marrëveshjeje ligjore, për t’i dhënë fund një padie që lidh institucionin bankar gjerman, me financierin e pasur Jeffrey Epstein-in, kur ai ishte klient i saj. Ky i fundit vrau veten në burg ndërsa përballej me akuza penale federale, për abuzim seksual me dhjetëra vajza të mitura.

Një grua, e cila nuk ka pranuar të identifikohet, paditi bankën në gjykatën federale të Nju Jork-ut, padi nga e cila përfitojnë edhe viktima të tjera të zotit Epstein. Në padi thuhej se banka me vetëdije përfitoi nga trafikimi seksual i zotit Epstein dhe se "zgjodhi përfitimin e miliona dollarëve nga biznesmeni, në vend të zbatimit të ligjit".

Një nga firmat ligjore që përfaqësoi gratë në këtë padi, Edwards Pottinger, tha se besonte se kjo ishte marrëveshja më e madhe e arritur me një bankë, lidhur me një padi mbi trafikimin seksual, në historinë e Shteteve të Bashkuara.

Marrëveshja do t’u mundësojë dhjetëra të mbijetuarave të Jeffrey Epstein-it që më në fund të bëjnë përpjekje për të besuar tek sistemi ynë, duke e ditur se të gjithë individët dhe subjektet që lehtësuan operacionin e trafikimit seksual të Epstein-it më në fund do të mbahen përgjegjës”, thuhej në një deklaratë të firmës.

Frank Hartmann, përfaqësues i "Deutsche Bank", bëri të ditur të enjten se banka nuk do të komentonte mbi marrëveshjen. Por ai vuri në dukje një deklaratë të vitit 2020 të saj, ku banka pranonte gabimin, që kishte pranuar si klient zotin Epstein.

Banka ka investuar më shumë se 4 miliardë euro (4.3 miliardë dollarë) për të forcuar kontrollet, proceset dhe trajnimet, dhe ka punësuar më shumë njerëz për të luftuar krimin financiar”, shprehej zoti Hartmann në një deklaratë me shkrim.

Firma ligjore "Boies Schiller Flexner", e cila gjithashtu përfaqëson paditësit, e quajti marrëveshjen një hap të rëndësishëm për të drejtat e viktimave.

Banka amerikane "JPMorgan Chase", po përballet gjithashtu me një padi për lidhjet e saj me zotin Epstein, akuza që ajo i ka hedhur poshtë.

Në fund të vitit të kaluar "Deutsche Bank" tha se i kishte ofruar "shërbime rutinë bankare" zotit Epstein nga viti 2013 deri në 2018 dhe se padia sipas saj, as që i mbështeste mjaftueshëm pretendimet se Deutsche Bank, ishte pjesë e rrjetit kriminal të trafikimit seksual të Jeffry Epstein-it".

Paditë, janë shtrirë gjithashtu edhe në ishujt amerikanë Virgin, ku zoti Epstein kishte një pasuri. Një gjykatës amerikan vendosi muajin e kaluar që drejtori ekzekutiv i bankës J"PMorgan Chase", Jamie Dimon, të përballet deri në dy ditë, me pyetje nga avokatët që trajtojnë paditë.

Qeveria e ishujve Virgin po përpiqet gjithashtu të thërrasë zyrtarisht edhe miliarderin Elon Musk si pjesë e një procesi gjyqësor të saj, kundër "JPMorgan-it", ku akuzon gjigantin bankar se ka mundësuar pagimin e viktimave duke ndihmuar në fshehjen e abuzimeve seksuale të zotit Epstein, prej dekadash.

XS
SM
MD
LG