Lidhje

Presidenti Biden në Japoni, të premten nis takimi i G7


Presidenti i Shteteve të Bashkuara Joe Biden ndodhet në Japoni, për të marrë pjesë në takimin e nivelit të lartë të grupit të shtatë vendeve më të industrializuara, Kanadasë, Francës, Gjermanisë, Italisë, Japonisë, Britanisë dhe Shteteve të Bashkuara.

Presidenti Biden u takua me kryeministrin e Japonisë Fumio Kishida, në Hiroshima, qyteti ku do të zhvillojë punimet takimi i nivelit të lartë të G7-ës, nga 19- 21 maj.

Kryeministri Kishida u tha gazetarëve pas takimit se kishte rënë dakord me presidentin Joe Biden për vazhdimin e sanksioneve ndaj Rusisë dhe për të mbështetur Ukrainën.

"Ramë dakord për të vazhduar sanksionet ndaj Rusisë dhe për të ofruar mbështetjen e fortë për Ukrainën”, tha zoti Kishida.

Duke iu referuar takimit mes zotit Biden dhe zotit Kishida, Shtëpia e Bardhë njoftoi përmes një deklarate se dy zyrtarët diskutuan rrugët e forcimit të bashkëpunimit në fushën e mbrojtjes dhe gjetjen e mënyrave për t’iu përgjigjur trysnisë ekonomike të Pekinit.

“Do të vazhdojmë bashkëpunimin e ngushtë në një sërë çështjesh që lidhen me Kinën. Ramë dakord të punojmë bashkë në sfidat që përfshijnë Kinën”, shtoi kryeministri japonez.

Grupi i shtatë vendeve pritet të diskutojë një sërë çështjesh, si ndryshimet klimatike, siguria ushqimore, gjetja e mënyrave për t’iu kundërvënë praktikave ekonomike të Kinës dhe ofrimi i mbështetjes për Ukrainën për të përballuar agresionin rus.

Presidenti Volodymyr Zelenskyy pritet t’i bashkohet seancës të dielën, përmes komunikimit elektronik.

Kancelari Olaf Scholz tha sot se takimi i udhëheqësve të G7-s do të synojë të forcojë sanksionet ndaj Rusisë dhe të parandalojë që të shmange sanksionet e deritanishme.

Në takimin e G7-ës do të marrin pjesë edhe përfaqësues të Bashkimit Europian.

Një zyrtar i BE-së tha se udhëheqësit e vendeve demokratike më të pasura të botës pritet të diskutojnë mundësitë për gjurmimin e tregtisë së diamantëve nga Rusia me qëllim vendosjen e sanksioneve në një fazë të mëvonshme.

“Pritet që kjo çështje të zërë vend edhe në deklaratën e G7-ës”, tha zyrtari.

Zyrtari tha se në këtë fazë nuk pritet të arrihet një marrëveshje mbi këtë çështje, por se ai kishte besim se takimi do t’i hapte udhë një mekanizmi hetimi përpara vendosjes së sanksioneve.

Në muajin prill, për shkak të agresionit ndaj Ukrainës, Polonia propozoi një paketë të re sanksionesh për Rusinë, përfshirë saksionet për tregtinë e diamantëve, por brenda Bashkimit Uropian, debati mbi gurët e çmuar ka qene mjaft kompleks.

Shumë vende kanë bërë thirrje për sanksione, por Belgjika e ka refuzuar një gje të tillë.

Ne Antërp të Belgjikës ndodhet qendra më e madhe tregtare e diamantëve.

Qendra Botërore e Dimantëve Antërp ka deklaruar se vendosja e sanksioneve do të shkaktonte një rënie në nivelin 30% të biznesit të saj dhe do të ndihmonte në forcimin e konkurentëve të saj, duke shtuar se u takon klientëve të vendosin nëse i duan apo jo diamantët e Rusisë.

XS
SM
MD
LG