Lidhje

Itali, përmbytje të fuqishme në veri, tetë të vdekur, mijëra të evakuuar


Të paktën tetë persona kanë humbur jetën, e mijëra janë evakuuar si pasojë e shirave të rrëmbyeshëm që goditën rajonin verior të Italisë, Emilia-Romanjën, duke shkaktuar përmbytje të mëdha.

Ministri i Mbrojtjes Civile Nello Musumeci tha se në disa zona, shiu që kishte rënë në 36 orë, ishte sa gjysma e mesatares vjetore. Shirat nxitën daljen nga shtrati të lumenjve, që përmbytën qytete e mijëra hektarë tokë bujqësore.

Tetë persona humbën jetën si pasojë e përmbytjeve, u tha gazetarëve nënpresidentja e Emilia-Romagna, Irene Priolo. Ajo shtoi se shirat po pakësohen, por niveli i lumenjve vazhdonte të ishte në rritje.

Gara e kësaj fundjave e Formula 1-it, që mbahet në Imola, një qytet pranë zonave më të goditura, u anulua. Autoritetet thanë se shërbimet e urgjencës duhej të përqendroheshin në operacionin e shpëtimit.

Vendimi është marrë sepse nuk është e mundur të garantohet siguri për tifozët, ekipet dhe personelin tonë”, thanë organizatorët e Formula 1-it në një deklaratë.

Lidhjet rrugore dhe hekurudhore u bllokuan në shumë zona. Kryebashkiakët e shumë qyteteve, përfshirë Bolonjës, u bënë thirrje banorëve të qëndrojnë në shtëpi.

Kjo është hera e dytë këtë muaj që rajoni i Emilia-Romanjës goditet rëndë nga moti i keq. Gjatë stuhive në fillim të muajit maj humbën jetën të paktën dy persona.

Ministri Musumeci tha se në disa pjesë të rajonit në rreth 2 ditë kanë rënë rreth 200 deri në 500 mm shi, ose sa gjysma e mesatares vjetore që llogaritet në rreth 1000 mm. Shirat nuk e kanë prekur qytetin e Venecias.

Shirat e rrëmbyeshëm vijnë pas muajsh të tërë thatësire që sikurse thanë meteorologët, ka reduktuar kapacitetin e tokës për të thithur ujin, duke përkeqësuar ndikimin e përmbytjeve.

XS
SM
MD
LG