Lidhje

Shqipëri, fitore e thellë e socialistëve, opozita vetëm 7 bashki


Shqiperi, procesi i numërimit të votave
Shqiperi, procesi i numërimit të votave

Në Shqipëri, Partia socialiste rregjistroi një nga fitoret më të thella që një forcë politike ka arritur në zgjedhje. Ndonëse ka ende disa bashki ku numërimi i votave vijon, socialistët rezutojnë të kenë marrë kontrollin e 53 qyteteve, kundrejt vetëm 7 të fituara nga koalicioni “Bashkë Fitojmë”, i përbërë nga demokratët e drejtuar nga ish kryeministri Sali Berisha, Partia e Lirisë e zotit Meta, demokristianët dhe Partia Bashkimi për të Drejtat e Njeriut dhe Demokristianët. Mes tyre dhe Himarën, ku kandidati i saj Fredi Beleri, i arrestuar nën akuzën e shitblerjes së votive ka dalë fitues. Por përveç të gjitha qyteteve dhe qendrave të rëndësishme të vendit, për herë të parë socialistët morën dhe Shkodrën, bastion historik i demokratëve.

Shqipëri, fitore e thellë e socialistëve, opozita vetëm 6 bashki
please wait

No media source currently available

0:00 0:02:41 0:00

Hasi, Mirdita, Puka e Fushë Arrëzi në Veri dhe Memaliaj e Himara në Jug, dhe Kavaja mbrëmjen e së hënës, janë të vetmet bashki që opozita mundi të marrë, pasi katër vjet më parë e la fushën bosh, për shkak të bojkotit. Ndër to, Himara duket të jetë me pak më shumë peshë, për shkak të vëmendjes që mori pas arrestimit, dy ditë përpara zgjedhjeve, të kandidatit të saj Fredi Beleri, i cili është më tepër një njeri i shumëpërfolur i PBDNJ-së, e që përfaqëson kryesisht interesat e minoritetit grek.

Një tjetër forcë politike, Minoriteti etnik grek për të Ardhmen (MEGA), mori bashkinë e Finiqit, falë mbështetjes së socialistëve, të cilët nuk u përfshinë në garë dhe përplasjes së fortë mes dy kandidatëve të së djathtës. Lufta mes kandidatëve të koalicionit “Bashkë Fitojmë” dhe Partisë Demokratike, i dha dhe dy bashki të tjera PS-së, në Kuçovë dhe në Mallakastër.

Në pjesën jetër të vendit, gjithshka flet në favor të socialistëve, të cilët arritën atë çka nuk kishin mundur kurrë më parë, të merrnin kontrollin e Bashkisë së Shkodrës, besnike e paepur ndër vite e së djathtës. Një fitore e qartë e me diferencë të dukshme, siç në fakt ka ndodhur në pjesën dërrmuese të bashkive.

Në Tiranë, kryetari aktual i Bashkisë, Erion Veliaj, ka thelluar progresivisht diferencën me kandidatin e koalicionit “Bashkë Fitojmë” Belind Këlliçi. Kur janë numëruar pak më shumë se 90 përqind e kutive, deri në mesnatë, zoti Veliaj kryeson me më shumë se 50 mijë vota. Kandidati i “Lëvizja Bashkë”, një formacion politik, i rregjistruar pak para zgjedhjeve, Arlind Qorri, në mënyrë surprizuese, renditet i treti duke mundur të ruajë një avantazh prej pak më shumë se 1 mijë votash, ndaj Roland Bejkos, kandidati i Partisë Demokratike, grupimit të drejtuar nga Enkelejd Alibeaj.

Në Durrës, një qytet ku parashikohej garë e ngushtë, kandidatja socialiste Emiriana Sako udhëheq me më shumë se 55 përqind, ose me një diferencë prej më shumë se 8 mijë votash, ndaj kandidatit të opozitës Igli Cara, kur është numëruar më shumë se 90 përqind e kutive.

Ndonëse kjo është nga disfatat më të rënda të opozitës, ish kryeministri Sali Berisha foli sot për atë që e cilësoi “një farsë elektorale”, ndërsa mbrëmë deklaroi se rezultati pozitiv ishte i sigurt. “Industria e tmerrshme e blerjes së votës. Vota e krimit dhe e oligarkisë, dhunuan si kurrë në historinë e këtij vendi votën e shqiptarëve. Janë të panumërta aktet, veprimet të cilat dëshmojnë se gjatë këtyre muajve, narkoshteti zbatoi programin e asgjësimit të lirisë së votës të blerjes së saj dhe terrorizimit të zgjedhësve shqiptarë”, deklaroi zoti Berisha, i cili si rrallë herë, nuk pranoi t’i përgjigjej pyetjeve të gazetarëve.

Në të njejtën linjë më pas u shfaq dhe kreu i Partisë së Lirisë Ilir Meta, i cili zgjodhi të reagojë përmes një statusi në Facebook, duke u shprehur se zgjedhjet ishin asgjësuar sipas tij, “që përpara se të fillonin” .

Por pavarësisht këtij pozicionimi politik, e ardhmja, vecanërisht e demokratëve, duket dhe më e vështirë, në raport me veten, për shkak të plagëve të pambyllura të përçarjes, dhe në raport me njerëzit, që e shohin atë të mbetet faktikisht, ende larg pushtetit.

XS
SM
MD
LG