Një armëpushim i brishtë midis forcave izraelite dhe militantëve në Rripin e Gazës duket se po respektohet, pas përleshjeve pesë-ditore ku u vranë 33 palestinezë dhe dy persona në Izrael.
Armëpushimi u vu në provë kur militantët palestinezë goditën jugun e Izraelit me një raketë të dielën në mbrëmje. Mediat palestineze thanë se lëshimi ishte shkaktuar nga një gabim teknik pasi militantët po përpiqeshin të çaktivizonin raketën.
Ushtria izraelite tha se raketa ra në një zonë të hapur të pjesës jugore të Izraelit dhe u përgjigj me zjarr tankesh, objektiva që tha se ishin dy poste ushtarake të Hamasit. Izraeli thotë se i konsideron udhëheqësit e Hamasit në Gaza përgjegjës për sulmin që bëhet jashtë territorit të tyre.
Armëpushimi solli një ndjenjë lehtësimi për 2 milionë banorët e Gazës dhe qindra mijëra izraelitë që ishin mbyllur kryesisht në strehimore gjatë bombardimeve të ditëve të fundit. Sidoqoftë, marrëveshja nuk bëri asgjë për të trajtuar çështjet themelore që kanë nxitur valë të shumta luftimesh midis Izraelit dhe grupeve militante palestineze në Rripin e Gazës përgjatë viteve.
Zyrtarët izraelitë u shprehën të kënaqur për betejën e fundit, pasi vranë të paktën gjashtë anëtarë të rëndësishëm të grupit Xhihadi Islamik. Por të paktën 13 nga të vrarët në Gaza ishin civilë, mes tyre fëmijë dhe gra.
Dhuna e nisur të martën ishte vala e fundit në një seri të gjatë përleshjesh midis Izraelit dhe militantëve palestinezë në Gaza, që kur grupi militant islamik Hamas mori kontrollin e territorit bregdetar në vitin 2007.
Hamasi, grupi më i fuqishëm palestinez ka shprehur mbështetje për sulmet e Xhihadit Islamik, por nuk është përfshirë gjatë raundit të fundit të luftimeve, duke kufizuar shtrirjen e konfliktit. Hamasi kohët e fundit është përpjekur të mos futet në konflikt me Izraelin. Xhihadi Islamik, nga ana tjetër, një grup militant më ideologjik dhe i padisiplinuar, i lidhur me dhunën, ka marrë drejtimin luftimeve të fundit me Izraelin.