Lidhje

Elon Musk: Kam gjetur një drejtues të ri ekzekutiv për Twitter-in


PDG Twitter Elon Musk (mitan) ale ak Linda Yaccarino, direktris pwomosyon ak patenarya pou NBC Universal, nan Miami Beach, Florid, 18 Avril 2023.
PDG Twitter Elon Musk (mitan) ale ak Linda Yaccarino, direktris pwomosyon ak patenarya pou NBC Universal, nan Miami Beach, Florid, 18 Avril 2023.

Elon Musk thotë se ka gjetur një drejtues të ri ekzekutiv për Twitter-in, apo Korporatën X siç quhet tani. Sipas shumë mediave amerikane bëhet fjalë për Linda Yaccarino-n, drejtuese e kompanisë ‘NBCUniversal’.

Zoti Musk nuk e përmendi emrin e zonjës Yaccarino, por të premten ‘NBCUniversal’ tha se ajo do të largohej nga kompania si drejtuese për reklamat dhe partneritetet globale.

Zonja Yaccarino intervistoi zotin Musk në Majami muajin e kaluar para qindra reklamuesve.

Elon Musk, i cili bleu Twitter-in vjeshtën e kaluar dhe e ka drejtuar atë qysh atëherë, ka këmbëngulur prej kohësh se ai nuk do të jetë drejtues ekzekutiv i përhershëm i kompanisë. Miliarderi i Teslës shkruante në një postim në Twitter të enjten se roli i tij do të kalojë nga ai i kreut ekzekutiv, në atë të shefit të teknologjisë së Twitter-it.

Në mes të nëntorit, vetëm pak javë pasi bleu platformën e mediave sociale për 44 miliardë dollarë, ai tha para një gjykate në shtetin Delaware se nuk dëshiron të jetë drejtues ekzekutiv i asnjë kompanie.

“Do reduktoj kohën time në Twitter dhe me kalimin e kohës, do të gjej dikë tjetër për ta drejtuar atë”, u shpreh ai.

Më shumë se një muaj më vonë n ë dhjetor, në një postim në Twitter ai shkruante: "Do të jap dorëheqjen si drejtues ekzekutiv sapo të gjej dikë mjaft ‘të çmendur’ për ta marrë kë të detyrë". Premtimi erdhi pasi miliona përdorues të Twitter-it i kërkuan atij të jepte dorëheqjen në një sondazh në Twitter, të cilin e zhvilloi vetë miliarderi, duke paralajmëruar se do t’i përmbahej rezultatit të tij.

Në shkurt, ai tha në një konferencë se parashikonte të gjente një drejtues ekzekutiv për Twitter-in me qendër në San Francisko "ndoshta nga fundi i këtij viti".

Analistët që ndjekin biznesin e Twitter-it e mirëpritën lajmin edhe pa e ditur se kush do të ishte zëvendësuesi. Biznesi i reklamave të Twitter-it është goditur nën drejtimin e zotit Musk, megjithëse miliarderi i tha BBC-së muajin e kaluar se kompania ndodhe aktualisht "përafërsisht" në pikën ku të ardhurat mbulojnë shpenzimet.

"Një drejtues i ri ekzekutiv është e vetmja rrugë përpara për Twitter-in", tha analistja e grupit ‘Insider Intelligence’ Jasmine Enberg. "Problemi i vetëm më i madh me biznesin e reklamave të Twitter-it ishte Elon Musk. Ndërsa ai tërhiqet, Twitter-i mund të fillojë të heq markën personale të zotin Musk nga imazhi i korporatës së kompanisë dhe të përpiqet të rifitojë besimin mes reklamuesve. Suksesi i këtyre përpjekjeve do të varet nga kush e merr përsipër këtë post, por është e vështirë të imagjinohet se drejtuesi i ri mund të jetë më i diskutueshëm ose më i dëmshëm për biznesin e reklamave të Twitter-it sesa zoti Musk.

Aksionet e Teslës u rritën rreth 2% të enjten pasi Elon Musk-u bëri njoftimin. Aksionerët e kompanisë së makinave elektrike kanë qenë të shqetësuar se vëmendja e tij po shpenzohej tek Twitter-i.

Nëntorin e kaluar, ai u pyet se si e ndan kohën e tij mes Teslës dhe kompanive të tjera të tij, duke përfshirë SpaceX-in dhe Twitter-in.

Musk tha se ai kurrë nuk kishte ndërmend të bëhej drejtues ekzekutiv i Teslës dhe se nuk donte të ishte shef ekzekutiv i ndonjë kompanie tjetër, duke preferuar ta shihte veten si inxhinier. Zoti Musk tha gjithashtu në atë kohë se priste që një ristrukturim organizativ i Twitter-it të përfundonte në javën në vazhdim. Kanë kaluar gati gjashtë muaj qysh atëherë.

Mandati i zotit Musk në krye të Twitter-it ka qenë kaotik, dhe ai ka bërë premtime dhe deklarata të ndryshme nga të cilat është tërhequr ose nuk i ka realizuar kurrë. Ai filloi ditën e tij të parë duke shkarkuar drejtuesit kryesorë të kompanisë, dhe më pas afërsisht 80% e stafit të saj. Ai ka përmirësuar sistemin e verifikimit të platformës dhe ka zvogëluar moderimin e përmbajtjes dhe masat mbrojtëse kundër përhapjes së dezinformatave.

Duke bërë shaka me ndjekësit në Twitter në fund të vitit të kaluar, zoti Musk shprehu pesimizëm lidhur me gjetjen e një drejtuesi të ri. Ai tha se atij personi “nuk duhet t’i dhimbset vetja” për të drejtuar një kompani që "ka qenë në rrugën e shpejtë të falimentimit".

“Askush nuk e dëshiron punën që mund ta mbajë Twitter-in gjallë. Nuk ka pasardhës”, shkruante zoti Musk në Twitter në atë kohë.

XS
SM
MD
LG