Vdekja e një personi të pastrehë në një tren të metrosë së Nju Jorkut më 1 maj, pasi një ish-marins, që po udhëtonte në të njejtin vagon, po e mbante me forcë me krahun shtrënguar rreth qafës së tij, nxiti shumë reagime.
Prokurorët e Manhatanit thanë dje se 24 vjeçari, Daniel Penny, do të akuzohet për vrasje pa paramendim të 30 vjeçarit Jordan Neely. Veterani i marinës, që u vetëdorëzua sot tek autoritetet, thotë se reagoi në vetëmbrojtje.
Incidenti ngjalli pikëpyetje se si duhet të trajtohen personat me sëmundje mendore në mjedise publike.
Protestat shpërthyen në qytetin e Nju Jorkut pas vrasjes së një burri të pastrehë, Jordan Neely, nga një udhëtar tjetër i metrosë, i cili thotë se viktima e kërcënoi dhe se ai veproi në vetëmbrojtje.
Vdekja e zotit Neely, i cili besohet se vuante nga probleme mendore, ka hapur një debat se si duhet të reagojnë njerëzit, kur shohin sjellje jonormale të dikujt në mjedise publike.
"Jam i indinjuar nga kjo. Mendoj se çdo njeri duhet të luftojë për drejtësi për Jordan Neely-n”, thotë Larry Everest, banor i Nju Jorkut.
"Unë i mbështes ata që reagojnë ndaj kërcënimeve dhe ndihmojnë sigurinë e përgjithshme publike. Por mendoj se kishte mënyrë më të mirë për ta bërë këtë”, thotë Kai Demandante, një banor tjetër.
“Ata që udhëtojnë me metro, e dinë se ndonjëherë aty ndodhin gjëra të frikshme. Ndonjëherë njerëzit duan që dikush të reagojë”, thotë një banor tjetër.
"Po ta bëja unë këtë, të vrisja një person të bardhë, do të isha i vdekur, ose në burg”, thotë protestuesi Rivers Lyons.
Curtis Silwa, themelues i grupit vullnetar “Guardians Angels”, që synon parandalimin e incidenteve të tilla, thotë se vërehet një rritje e numrit të njerëzve me sëmundje mendore në metronë e Nju Jorkut.
“E prisja këtë situatë, ndoshta më keq, me armë, apo thika, sepse metroja është jashtë kontrollit. Shumë njerëz janë të rënduar emocionalisht. Të pastrehët që jetojnë në metro, hyjnë dhe dalin në çdo kohë të ditës. Kjo ishte e pritshme”, thotë zoti Silwa.
Ai thotë se trysnia për ta gjykuar marinsin, që me reagimin e tij i mori jetën personit të pastrehë, mund të dekurajojë të tjerët, që të reagojnë në të ardhmen.
“Fatkeqësisht, pavarësisht asaj se si rrjedhin gjërat, kjo do të ndikojë, që njerëzit të ngurrojnë të ndërhyjnë fizikisht për të ndihmuar pasagjerët e tjerë”, thotë zoti Siwla.
Disa ekspertë thonë se pasagjeri që ndaloi personin e pastrehë po vepronte brenda të drejtave të tij, meqenëse zoti Neely dyshohet se po kërcënonte pasagjerët.
Por kritikët thonë se reagimi i tij ishte i tepërt.
“Nuk mendoj se dikush do të diskutojë mbi faktin se ai me veprimin e tij shkaktoi vdekjen e një personi tjetër. Ky është një krim. Pyetja është: a ka ai përgjegjësi penale për këtë krim?”, thotë Christopher Herrman, profesor në kolegjin e Drejtësisë Penale “John Jay”.
Ndikimi i këtij rasti në lëvizjet brenda metrosë, mbetet të shihet.
Por, incidenti solli në vëmendje edhe çështjet që e nxitën atë, duke përfshirë trajtimin e personave me sëmundje mendore dhe praninë e forcave të zbatimit të ligjit në mjedise publike.