Lidhje

Turqi, largimi i një kandidati për president favorizon kundërshtarin e zotit Erdogan


Muharrem Ince
Muharrem Ince

Në Turqi, një kandidat në zgjedhjet presidenciale njoftoi të enjten se po tërhiqej nga gara, një veprim që ka të ngjarë të forcojë mbështetjen për kundërshtarin e Presidentit Rexhep Tajip Erdogan.

Muharrem Ince, kreu i Partisë Atdheu i qendrës së majtë, ishte mes katër pretendentëve që kandidojnë për president në zgjedhjet e 14 majit, kur votohet edhe për parlamentin e vendit.

Zoti Ince u kritikua ashpër për ndarjen e votave të Aleancës Kombëtare të përbërë nga gjashtë parti, e cila mbështet kandidaturën e kreut të partisë kryesore opozitare Kemal Kilicdaroglu, dhe për shkak të mundësisë që mund të çonte në një raund të dytë votimesh për president.

“Po tërhiqem nga gara”, u tha zoti Ince gazetarëve para selisë së partisë së tij. “Po e bëj për vendin tim”.

Zoti Erdogan, i cili e ka udhëhequr Turqinë si kryeministër dhe president që nga viti 2003, po përballet me zgjedhjet më sfiduese gjatë qeverisjes së tij 20-vjeçare.

Sipas sondazheve, opozitari Kilicdaroglu gëzon një epërsi të lehtë ndaj Presidentit Erdogan, megjithëse asnjëri nga kandidatët nuk pritet të marrë më shumë se 50% të votave të nevojshme për t'u zgjedhur në raundin e parë.

Anketat tregonin se pasi shpalli kandidaturën, zoti Ince gëzonte një mbështetje prej 8% mes votuesve, por popullariteti i tij ka rënë në rreth 2%, sipas anketave të opinionit publik.

Politikani nuk tha se po largohej në favor të kandidatit Kilicdaroglu, por analistët thonë se tërheqja e tij nga gara ka të ngjarë ta favorizojë Aleancën Kombëtare.

Anëtarët e Aleancës Kombëtare e përshëndetën vendimin e zotit Ince për të dalë nga gara. Megjithatë, zoti Ince tha se Partia Atdheu, të cilën ai e formoi në vitin 2021, do të vazhdojë të garojë në zgjedhjet parlamentare dhe ai bëri thirrje për mbështetje nga të gjithë votuesit.

58-vjeçari, ish-mësues i fizikës, konkurroi në vitin 2018 përballë zotit Erdogan si përfaqësues i partisë kryesore opozitare në vend CHP të zotit Kilicdaroglu. Ai kishte një mbështetje prej rreth 30% por më pas u largua nga partia.

“Ata nuk do të kenë asnjë justifikim nëse i humbasin zgjedhjet", tha zoti Ince, çka dukej se i referohej zotit Kilicdaroglu.

XS
SM
MD
LG