Lidhje

FBI çaktivizon rrjetin e programeve të përdorura nga elita e spiunëve rusë


FILE PHOTO: A computer keyboard lit by a displayed cyber code is seen in this illustration picture
FILE PHOTO: A computer keyboard lit by a displayed cyber code is seen in this illustration picture

FBI-ja ka çaktivizuar disa programe të dëmshme kompjuterike të përdorura nga elita e spiunëve rusë, thanë të martën autoritetet amerikane, duke ofruar një pasqyrë të vogël të përballjes digjitale midis dy superfuqive kibernetike.

Zyrtarë të lartë të zbatimit të ligjit thanë se ekspertët teknikë të FBI-së kishin identifikuar dhe çaktivizuar programet e përdorura nga shërbimi rus i sigurisë, FSB kundër një numri të pazbuluar kompjuterësh amerikanë, një veprim që ata shpresojnë se do t'i japë një goditje vdekjeprurëse një prej programeve kryesore të spiunazhit kibernetik të Rusisë.

"Ne e vlerësojmë këtë si mjetin e tyre kryesor të spiunazhit", u tha gazetarëve një nga zyrtarët amerikanë përpara deklaratës publike mbi këtë çështje. Ai tha se Uashingtoni shpresonte se operacioni do ta "çrrënjoste atë nga fushëbeteja virtuale".

Zyrtari tha se spiunët e FSB-së që përdornin programin kompjuterik, të njohur me emërtimin “Snake”, janë pjesë e një grupi famëkeq hakerimi i njohur si "Turla".

Grupi ka qenë aktiv për dy dekada, duke vënë në shënjestër një sërë objektivash të NATO-s, agjencive qeveritare të Shteteve të Bashkuara dhe kompanive të teknologjisë, tha një zyrtar i lartë i FBI-së.

Diplomatët rusë nuk iu përgjigjën menjëherë kërkesave për koment. Moska zakonisht mohon përfshirjen në operacione të spiunazhit kibernetik.

Zyrtarët amerikanë folën me gazetarët të martën përpara publikimit të lajmit në kushte anonimiteti. Njoftime të ngjashme për përpjekjet për sulme kibernetike të FSB-së u bënë nga agjencitë e sigurisë në Britani, Kanada, Australi dhe Zelandën e Re.

Turla konsiderohet gjerësisht si një nga ekipet më të sofistikuara të hakerave të studiuara nga komuniteti i sigurisë.

"Ata kanë vazhduar të veprojnë në hije duke u fokusuar në sigurinë e fshehtë dhe operacionale", tha John Hultquist, nënpresident për analizimin e kërcënimeve në kompaninë amerikane të sigurisë kibernetike Mandiant. "Ata janë një nga objektivat më të vështira që kemi hasur”.

Qeveria amerikane e titulloi operacionin për ndërprerjen e programit Snake si "Operation Medusa". FBI-ja dhe partnerët e saj identifikuan se ku ishte vendosur mjeti i hakerave në internet dhe ndërtuan një program unik softuerësh për të shkatërruar infrastrukturën e hakerëve.

FBI-ja u mbështet në autorizimet ekzistuese të urdhrave të kërkimit për të hyrë në distancë në programin keqdashës rus të përdorur brenda rrjeteve të viktimave në SHBA dhe për të shkëputur lidhjet e tij.

Zyrtari i lartë i FBI-së tha se mjeti i Byrosë Federale ishte krijuar vetëm për të komunikuar me programin rus të spiunazhit.

XS
SM
MD
LG