Lidhje

Zgjedhjet vendore në Shqipëri, analistët: Politizim i skajshëm


Studiuesit Blendi Çeka dhe Roland Lami
Studiuesit Blendi Çeka dhe Roland Lami

Në Shqipëri, fushata e zgjedhjeve vendore po shkon drejt fundit. Analistë të jetës politike të vendit vërejnë se fushata u mbizotërua nga kryetarët e partive dhe iu la pak hapësirë kandidatëve me programet dhe aftësitë e tyre individuale.

Zgjedhjet vendore në Shqipëri, studiuesit: Politizim i skajshëm
please wait

No media source currently available

0:00 0:04:08 0:00

Studiuesit theksuan se në fushatat për pushtetin vendor përherë e më pak po flitet për nevojat praktike të komuniteteve, por kryetarët e partive vazhdojnë të mbajnë gjallë konfliktualitetin e përhershëm politik mes tyre.

Studiuesit e jetës politike në Shqipëri vlerësojnë se kryetarët e partive, me pjesëmarrjen e kudondodhur gjatë fushatës, po u fshijnë zgjedhjeve vendore elementin thelbësor maxhoritar, zgjedhjen e kryetarit të qytetit, duke lënë në hije tiparet dhe cilësitë individuale të kandidatëve, bashkë me nevojat e qytetarëve.

Profesori Roland Lami thotë se edhe këto zgjedhje vendore po ngjajnë më shumë me zgjedhjeve të përgjithshme, ku qytetarëve po u kërkohet të zgjedhin mes kryetarëve të partive dhe jo midis kandidatëve të ndryshëm bashkiakë.

“Premtimet janë inflacion, si të thuash. Më shumë premtohet se sa mbahet. Ka një agresivitet të qeverisë për të ndërhyrë me rritje page në kohë fushate, e cila ndoshta është në kundërshtim me atë që parasheh ligji për rolin e pushtetit ekzekutiv në periudha fushate. Në ligjërime ka më shumë baltosje të individëve se detaje nga programet”, thotë zoti Lami.

Analistët vërejnë pjesa më e madhe e fushatës vendore po mbizotërohet jo thjesht nga kryetarët e partive, por për më tepër nga politikanë që janë në skenën politike prej gati 30 vitesh, që kanë mbizotëruar dhe mbizotërojnë gjithçka.

Profesori Blendi Çeka thotë se platformat e kandidatëve kanë mbetur si shtojca dytësore pas fjalimeve të kryetarëve.

Ndërsa qytetarët kanë kërkesa të ngutshme praktike, thekson ai, oferta e partive është në një format të përgjithshëm politik, duke mbajtur lart konfliktualitetin e përhershëm politik e gati gati personal midis disa drejtuesve të lartë.

“Ne kemi parti lider, ku personi, që drejton partinë është unifikuar me partinë dhe çdo gjë tjetër është derivate i kësaj gjendje. Partitë në Shqipëri, cilatdo krahu politik, janë shumë të përqëndruara tek personi që drejton dhe nuk krijojnë asnjë hapësirë për kolore të tjera, zëra të tjerë alternativë, të punohet me skuadra, apo të ketë disa pika reference”, thotë zoti Çeka.

Studiuesit theksojnë se në Shqipëri vazhdojnë të ndiqen metoda të vjetëruara të fushatave, ku kanë vend të gjerë fjalimet nga udhëheqja, etiketimet dhe konfliktualiteti.

Qytetarët, pohojnë ata, i njohin mirë partitë, kryetarët dhe kandidatët, por pjesa më e madhe e tyre, për shkak nevojave të mbijetesës, hapësirave të ngushtuara të reagimit, detyrohen të pranojnë fushata ku mbizotërojnë batutat dhe jo programet, si dhe premtimet e reja pa bërë bilancin nëse janë mbajtur premtimet e vjetra.

“Edhe këto zgjedhje vendore, ashtu si çdo zgjedhje tjetër, vazhdojnë të politizohen. Pushteti qendror vazhdon të luajë rol kryesor në mënyrën e organizimit, ndërtimit, pranisë së figurave në fushatën vendore. Kjo është atipike, sepse zgjedhjet vendore duhet t’i japin rol individit, këshillit bashkiak, i cili do të komunikojë me qytetin, me grupe të ndryshme sociale. Por ndryshe nga interesat praktike e racionale të qytetarëve, partitë i përdorin zgjedhjet vendore si një provë paraprake për zgjedhjet e përgjithshme”, thotë zoti Lami.

Analistët pohuan se partitë nuk u krijojnë kushte qytetarëve për të zgjedhur me qetësi kryebashkiakët e tyre, por i kanë vendosur në një grackë të përsëritur pasigurie.

Sipas zotit Çeka vërehet një dorëzim i një pjese qytetarësh të pafuqishëm dhe një humbje shprese nëse ata vërtet kanë gjë në dorë për të ndryshuar diçka me votat e tyre, madje shumë prej bashkiakëve rikandidojnë për disa mandate rresht, të mbështetur nga disa rrethana vendore.

“Personat e pandryshuar gjatë në krahina të ndryshme janë si feudalë vendor, në njëfarë mënyre. Këta janë edhe përfaqësues shtetërorë edhe si përfaqësues informalë, që rregullojnë marrëdhëniet në komunitet, diktojnë marrëdhëniet, vendosin ekuilibrat e pushtetit në komunitet. Kështu këta janë realisht shumë e vështirë për t’u zëvendësuar. Kjo nuk është një shenjë e mirë. Në pjesën më të madhe të rasteve nuk besoj se rizgjedhja e tyre ka të bëjë me performancën, (pra, se ata kanë një performancë shumë të mirë dhe ata nuk duan ta ndryshojnë), përkundrazi, mua më duket një lloj inercie, që qytetarët janë të kapur, nuk kanë alternativë tjetër, edhe pse këta të rizgjedhur janë nën mesataren e komunitetit, ku rikandidojnë”, thotë zoti Çeka.

Ndërsa fushata zgjedhore do të vazhdojë edhe për tre ditë, studiuesit theksojnë se çështja kryesore nuk janë rezultatet e radhës.

Çështje themelore mbetet, sipas tyre, fuqizimi i qytetarëve për të zgjedhur në kushte dinjitoze midis kandidatëve të ndryshme, të lirë nga presionet e shumëllojshme, që cënojnë integritetin e tyre dhe të një shoqërie, që po aspiron prej tre dekadash të integrohet në Bashkimin Europian dhe të fuqizojë institucionet e veta demokratike.

XS
SM
MD
LG