Luftimet mes palëve ndërluftuese në Sudan vazhduan edhe të dielën, ndërsa konflikti që po vazhdon prej disa javësh ka shkaktuar qindra të vrarë.
Në një zonë industriale në kryeqytetin e Sudanit, Kartum u panë shtëllunga të mëdha tymi.
Luftimet mes Forcave të Armatosura të Sudanit të udhëhequra nga gjenerali Abdel-Fattah Burhan dhe Forcat e Mbështetjes së Shpejtë që drejtohen nga Mohamed Hamdan Dagalo nisën në 15 prill.
Sipas Ministrisë së Shëndetësisë së Sudanit, të paktën 550 persona kanë mbetur të vrarë, mes tyre civilë dhe më shumë se 4900 të tjerë janë plagosur si pasojë e luftimeve.
Sindikata e mjekëve sudaneze që regjistron vetëm vikimat më mesin e popullatës civile, tha të premten se 473 civilë janë vrarë dhe 2450 janë plagosur që nga fillimi i luftimeve.
Luftimet filluan pas tensioneve disa mujore mes gjeneralëve rivalë të ushtrisë së Sudanit, Burhan dhe Dagalo.
Konflikti ka shtuar kaosin në vend dhe ka detyruar qeveritë të huaja të evakuojnë diplomatët dhe mijëra qytetarë të huaj nga Sudani.
Sipas të dhënave të Agjencisë së Kombeve të Bashkuara për Refugjatët, më shumë se 860 mijë sudanezë janë larguar nga vendi i tyre drejt shteteve fqinje si pasojë e konfliktit. Zyrtarët e OKB-së së fundmi thanë se për të ndihmuar këta njerëz të ikur nga lufta organizatat humanitare kanë nevojë për rreth 445 milionë dollarë.
Një ditë më parë, palët ndërluftuese u ulën për herë të parë në bisediime, në Arabinë Saudite, sinesë e një nisme diplomatike të propozuar nga Shtetet e Bashkuara dhe Arabia Saudite.
Por ndërsa ndërmjetësit kanë kërkuar ndalim të luftimeve, të dy palët e kanë bërë të qartë se mund të diskutojnë vetëm të krijuar evakuime të sigurta për civilët, por nuk do të negociojnë fundin e dhunës.