Lidhje

Organizata e mediave: Kina burgu më i madh në botë për gazetarët


Cheng Lei, gazetarja e burgosur me shtetësi australiane, gjatë një aktiviteti në vitin 2020
Cheng Lei, gazetarja e burgosur me shtetësi australiane, gjatë një aktiviteti në vitin 2020

UASHINGTON – Kina burgosi më shumë gazetarë se vendet e tjera gjatë vitit të kaluar, me mbi 100 gazetarë që gjenden pas hekurave, njoftoi një organizatë për lirinë e shtypit. Këto masa vijne ndërsa qeveria e Presidentit Xi Jinping ka shtrënguar kontrollin mbi shoqërinë kineze.

Sipas “Reporterëve pa Kufij”, qeveria e zotit Xi është edhe një ndër eksportuesit më të mëdhenj të përmbajtjes propagandistike. Kina u radhit e parafundit në botë në indeksin vjetor për lirinë e shtypit, ndërsa në vendin e fundit gjendet vendi fqinj, Koreja e Veriut.

Partia Komuniste në pushtet ka shtrënguar edhe më tej kontrollin e rreptë mbi mediat në Kinë, ku të gjitha gazetat dhe transmetimet janë në pronësi të shtetit. Faqet e internetit dhe mediat sociale kanë detyrimin për të zbatuar censurën ndaj materialeve që mund të përhapin opozitarizëm ndaj regjimit monist.

Zoti Xi, drejtuesi më i fuqishëm në Kinë prej dekadash, u bëri thirrje gazetarëve gjatë një takimi për dhënien e medaljeve zyrtare në vitin 2016, që t’i përmbahen “orientimit të duhur të opinionit publik”.

Raporti i organizatës “Reporterët pa Kufij” i publikuar të mërkurën thotë se zoti Xi po zhvillon një “kryqëzatë kundër gazetarisë”. Raporti e quan “shkatërrimtar” rënien e lirisë së shtypit në Kinë.

Gazetarët e huaj dhe vendas gjatë një konference për shtyp në Ministrinë e Jashtme të Kinës (26 prill 2023)
Gazetarët e huaj dhe vendas gjatë një konference për shtyp në Ministrinë e Jashtme të Kinës (26 prill 2023)

Pekini ka një sistem kontrolli të internetit që konsiderohet të jetë ndër më të mëdhenjtë në botë. Filtrat e tij ja ndalojnë publikut kinez të shikojë faqe interneti të huaja, të organizatave të lajmeve, qeverive dhe grupeve aktiviste dhe të drejtave të njeriut.

Gazetarët kinezë hetohen me akuza për spiunazh, rrjedhje të sekreteve kombëtare dhe shkaktim trazirash, një akuzë e vakët kjo që përdoret për të burgosur disidentët. Të tjerë i nënshtrohen survejimit, frikesimit dhe ngacmimit.

Gazetari Dong Yuyu, i cili punonte për një gazetë pranë partisë në pushtet dhe është ish-studiues i Universitetit të Harvardit, përballet me akuza për spiunazh pasi u arrestua mbi një vit më parë, njoftoi javën e kaluar familja e tij.

Në vitin 2022, gazetarja e lindur në Kinë me shtetësi australiane Cheng Lei u gjykua në Kinë për akuza të lidhura me sigurinë kombëtare, por ende nuk i është komunikuar vendimi, tha në mars Ministrja e Jashtme e Australisë, Penny Wong.

Zonja Cheng punonte për CGTN, kanalin shtetëror kinez në gjuhën angleze që u drejtohet audiencave të huaja. Ajo u arrestua në gusht 2019 dhe u akuzua për ndarje të sekreteve shtetërore.

Jimmy Lai, themeluesi i gazetës së mbyllur tashmë "Apple Daily"
Jimmy Lai, themeluesi i gazetës së mbyllur tashmë "Apple Daily"

Në Hong Kong, Partia Komuniste detyroi mbylljen e gazetës së rëndësishme “Apple Daily”, në kuadrin e aksionit për të shtypur ndjenjat pro-demokracisë.

Themeluesi i gazetës, Jimmy Lai, u dënua për mashtrim vitin e kaluar, dënim për të cilin mbështetësit e tij thanë se ishte i motivuar politikisht. Gjashtë ish-drejtues të tjerë të gazetës u vetëdeklaruan fajtorë.

XS
SM
MD
LG