Lidhje

Belgjikë, arrestohen 7 vetë, dyshohet se po planifikonin një sulm terrorist


Arkiv
Arkiv

Policia belge arrestoi të enjten shtatë persona të dyshuar si mbështës të grupit të Shtetit Islamik dhe se kanë komplotuar me qëllim kryerjen e një sulmi terrorist. Njoftimi u bë nga prokurorët belgë.

Pothuajse të gjithë të dyshuarit janë çeçene dhe tre prej tyre kanë kombësi belge, thuhej në deklaratën e prokurorëve.

Objektivi i saktë i sulmit të planifikuar, nuk përcaktuar ende”, thanë ata.

Policia, e mbështetur nga njësi të forcave speciale, bastisi nëntë banesa në disa qytete në pjesën perëndimore të Belgjikës, në një operacion të udhëhequr nga një prokuror i specializuar për rastet e terrorizmit.

Ai pritet të vendosë më vonë nëse ka prova të mjaftueshme për të ngritur akuza ndaj të dyshuarve. “Akuzat e mundshme lidhen me përpjekje për atentat terrorist, pjesëmarrje në aktivitetet e një grupi terrorist dhe përgatitje për një sulm terrorist”, thuhej në deklaratë.

Prokurorët shtuan se të shtatë të arrestuarit "dyshohen për përgatitjen e një sulmi terrorist në Belgjikë", dhe se të gjithë ata "i përkasin një grupi mbështetësish të fortë të ISIS-it".

Një zëdhënës i zyrës së prokurorisë federale, Eric Van Duyse, tha për agjencinë AFP se "dyshohet se të arrestuarit kishin në shënjestër një institucion që ndodhet në Belgjikë" dhe se "në mënyrë aktive po kërkonin te gjenin armë".

Bastisjet e policisë u zhvilluan në Ghent dhe në disa qytete të tjera më të vogla, si Roeselare, Menen, Ostend dhe Wevelgem.

Shteti Islamik mori përgjegjësinë për sulmet vetëvrasëse në Belgjikë më 22 mars të vitit 2016, që kishin si objektiv aeroportin e Brukselit dhe metronë e kryeqytetit. Si pasojë u vranë 32 persona dhe u plagosën qindrar të tjerë.

Ngjarja ndodhi disa muaj pas sulmeve të nëntorit 2015 në Paris, të planifikuara nga e njëjta celulë e ISIS-it, gjatë të cilave u vranë 130 persona.

Çeçenia, një republikë në rajonin rus të Kaukazit të Veriut, ka një popullsi kryesisht myslimane.

Ajo drejtohet nga udhëheqësi me dorë të forte, pro-Kremlinit, Ramzan Kadyrov, i cili mbështet luftën e Presidentit rus Vladimir Putin në Ukrainë dhe ka dërguar atje trupa milicie, për të luftuar.

XS
SM
MD
LG