Lidhje

Zelensky nga Haga: Putini do të gjykohet për krime lufte kur Ukraina të fitojë luftën


Presidenti Zelenskyy pritet në Gjykatën Ndërkombëtare Penale në Hagë (4 maj 2023)
Presidenti Zelenskyy pritet në Gjykatën Ndërkombëtare Penale në Hagë (4 maj 2023)

Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky deklaroi të enjten se Presidenti rus Vladimir Putin do të përballet me një gjyq ndërkombëtar për krime lufte, kur Ukraina të ketë fituar luftën ndaj Rusisë. Vizita e tij e befasishme në Hagë, erdhi vetëm një ditë pas vizitës së tij të paparalajmëruar në Finlandë. Gjykata Ndërkombëtare Penale ka lëshuar tashmë një urdhër arresti për presidentin rus.

Zelensky nga Haga: Putini do të gjykohet për krime lufte kur Ukraina të fitojë luftën
please wait

No media source currently available

0:00 0:02:25 0:00

Haga shërben si seli jo vetëm për këtë gjykatë, por edhe për organin më të lartë gjyqësor të OKB-së, Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë. Qyteti holandez e konsideron veten si qytetin ndërkombëtar të paqes dhe drejtësisë.

Gjykata Ndërkombëtare Penale ka lëshuar tashmë një urdhër arresti për Presidentin rus Vladimir Putin.

“Jam i lumtur që gjendem sot në vendin tuaj, në tokën e lirisë dhe drejtësisë, që janë vlera universale. Këto janë gjërat për të cilat do të flas sot. Sigurisht, sigurisht që të gjithë dëshirojmë të shohim një tjetër Vladimir këtu në Hagë, atë që meriton të dënohet për veprimet kriminale, këtu në kryeqytetin e ligjit ndërkombëtar. Jam i sigurt se do ta shohim këtë të ndodhë kur të kemi fituar”, tha zoti Zelensky.

Presidenti ukrainas gjatë fjalimit të tij Hagë (4 maj 2023)
Presidenti ukrainas gjatë fjalimit të tij Hagë (4 maj 2023)

Por, shanset që zoti Putin të gjykohet në Hagë janë të pakta. Gjykata Ndërkombëtare Penale nuk ka një forcë të sajën policore për të zbatuar vendimet e saj dhe udhëheqësi rus nuk ka gjasa të udhëtojë drejt një prej 123 vendeve anëtare të gjykatës, të cilat kanë detyrimin ligjor për ta arrestuar.

Gjykata Ndërkombëtare Penale njoftoi muajin e kaluar se kishte “baza të arsyeshme për të besuar” se zoti Putin dhe komisionerja ruse për të drejtat e fëmijëve ishin përgjegjës për deportimin e paligjshëm dhe transferimin e fëmijëve nga zonat e pushtuara të Ukrainës drejt Rusisë.

Gjykata deklaroi se “ka baza të arsyeshme për të besuar se zoti Putin mbart përgjegjësi penale individuale” për rrëmbimet e fëmijëve “për kryerjen e këtyre veprave drejtpërsëdrejti, apo së bashku me të tjerë, me apo pa ndihmën e të tjerëve”, si dhe për faktin se nuk “ushtroi kontrollin e duhur ndaj vartësve civilë apo ushtarakë që i kryen këto akte”.

Prokurori i Gjykatës Ndërkombëtare Penale, Karim Khan ka bërë vizita të përsëritura në Ukrainë dhe po çel një zyrë në Kiev për të lehtësuar hetimet në vazhdim.

Sidoqoftë, gjykata nuk ka juridiksion për ta hetuar zotin Putin për krimin e agresionit, pra sulmin e paligjshëm ndaj një vendi tjetër sovran.

Qeveria holandeze ka ofruar të shërbejë si mikpritëse për një gjykatë të re që mund të krijohet për të hetuar krimin e agresionit dhe ndërkohë po krijohet një zyrë për të mbledhur evidencë.

XS
SM
MD
LG