Policia federale e Brazilit kreu të mërkurën kontroll në shtëpinë e ish-presidentit Jair Bolsonaro dhe sekuestroi telefonin e tij. Policia tha se kontrolli u bë në kuadër të një hetimi mbi dyshimet për falsifikime të certifikatave të vaksinës kundër COVID-19. Sipas saj, ndërhyrje policore zhvilluan edhe në disa vende të tjera ku u arrestuan disa persona.
Duke folur me gazetarët, zoti Bolsonaro konfirmoi kontrollin në rezidencën e tij, ashtu si edhe bashkëshortja e tij Michelle, e cila përdori llogarinë e saj në Instagram për konfirmimin e lajmit. Ajo tha se telefoni i saj nuk ishte sekuestruar, ndryshe nga sa kishte njoftuar media.
Një zyrtar i policisë federale, i cili foli në kushte anonimiteti sepse nuk ishte i autorizuar të fliste publikisht, tha se zoti Bolsonaro do japë dëshminë e tij në zyrat e policisë federale dhe konfirmoi arrestimin e një prej aleatëve më të ngushtë të tij, Mauro Cid.
E pyetur mbi kontrollin në shtëpinë e ish presidentit Bolsonaro, zyra e shtypit e policisë federale tha përmes një deklarate se autoritetet policore kryen 16 kontrolle dhe gjashtë arrestime në Rio de Zhaneiro në lidhje me regjistrimin në sistemin shëndetësor të vendit, të të dhënave të falsifikuara mbi vaksinën COVID-19. Në deklaratë nuk përmendej emri i zotit Bolsonaro apo aleatit të tij, Mauro Cid.
Mediat lokale raportuan se të dhënat e certifikatave të vaksinës së zotit Bolsonaro, këshilltarëve të tij dhe anëtarëve të familjes së tij rezultonin të ndryshuara. Gjatë pandemisë, zoti Bolsonaro për muaj të tërë ngriti dyshime për efikasitetin e vaksinës dhe refuzoi në mënyrë sfiduese të vaksinohej. Për shkak të këtij qëndrimi, në shtator 2021, u ngritën dyshime nëse ai do të ishte në gjendje të merrte pjesë në Asamblenë e Përgjithshme të Organizatës së Kombeve të Bashkuara në Nju Jork.
"Nuk bëra asnjë falsifikim, nuk ndodhi," u tha të mërkurën zoti Bolsonaro gazetarëve pas kontrollit. “Unë nuk e kam bërë vaksinën, pikë. Nuk e kam mohuar kurrë këtë.”
Kontrolli vjen ndërsa ish - presidenti Bolsonaro përballet me një sërë problemesh ligjore.
Gjatë muajit të kaluar, policia federale e ka marrë atë në pyetje dy herë, në lidhje me dy hetime të veçanta, së pari, mbi disa bizhuteri diamanti që ai pranoi nga Arabia Saudite dhe së dyti, në lidhje me rolin e mundshëm të tij në nxitjen e mbështetësve për sulmet ndaj institucioneve qeveritare në kryeqytetin Brazilian, në 8 janar të këtij viti.
Zoti Bolsonaro është gjithashtu objekt i disa hetimeve nga gjykata elektorale e Brazilit për veprimet e tij gjatë fushatës zgjedhore presidenciale, veçanërisht për pretendimet e tij të pabazuara se mund të ndërhyhej tek sistemi elektronik i votimit të vendit. Nga këto hetime ai rrezikon të humbasë të drejtat e tij politike dhe të drejtën e kandidimit për postin e presidentit në zgjedhjet e ardhshme.
Ish-presidenti ka mohuar çdo shkelje ligjore.
Në deklaratën e policisë thuhej se regjistrimi i të dhënave të rreme për COVID-19 ndodhi midis nëntorit 2021 dhe dhjetorit 2022 dhe u mundësoi personave, ndryshime në certifikatat e vaksinave, në mënyre që të ishin në përputhje me kriteret e kërkuara për udhëtim drejt Shteteve të Bashkuara.
Sipas deklaratës, hetimi tregon se veprimi lidhej me "agjendën ideologjike" dhe kishte për qëllim "të mbështeste qëndrimet kundër vaksinimit ndaj COVID-19".
Brazili ishte vendi i dytë me numrin më të lartë të vdekjeve për shkak të Covid 19 në botë.
Një hetim parlamentar arriti në përfundimin se ndaj zotit Bolsonaro duhet të ngriheshin akuza penale për krime ndaj njerëzimit dhe akuza të tjera, për reagimin me vonesë të shtetit përballë pandemisë.
Zoti Bolsonaro u kthye së fundmi në Brazil pasi qëndroi disa muaj në Orlando të Floridës, ku mbajti kryesisht një profil të ulët.
Këtë fundjavë, teksa kërkon të synon të rifitojë ndikimin e tij në Brazil, ai udhëtoi në brendësi të shtetit të Sao Paulos dhe u shfaq në një takim që kishte në qendër sektorin e bujqësisë.