Lidhje

Çfarë duhet të dijmë rreth kurorëzimit të Mbretit Charles III? 


Britain Coronation 5 Things to Know
Britain Coronation 5 Things to Know

Familja mbretërore e Britanisë së Madhe fillon një kapitull të ri të shtunën me ceremoninë zyrtare të kurorëzimit të Mbretit Charles III, një spektakël që u bën jehonë kohërave mesjetare, por që shfaq edhe elemente moderne.

Pompoziteti, madhështia dhe simbolika datojnë më shumë se 1000 vjet më parë, por kurorëzimi i këtij mbreti sjell disa ndryshime tek tradita në përgjithësi dhe ceremonia e kurorëzimit të nënës së tij, Mbretëreshës Elizabeth II, 70 vjet më parë.

Planet për ceremoninë në Kishën Westminster Abbey parashikojnë një ton më të zbutur se ai në ceremoninë e fundit, edhe pse mbretër nga vende të tjera, krerë shtetesh dhe pjesa më e madhe e familjes së Mbretit Charles do të jenë të pranishëm, dhe monarku planifikon të veshë rroba mbretërore ashtu si mbretëresha Elizabeth.

Ja disa detaje nga planet për ceremoninë e kurorëzimit:

PSE DUHET TË KETË KURORËZIM, KUR MBRETI CHARLES E KA TASHMË TITULLIN?

Mbreti Charles u ngjit automatikisht në fron kur mbretëresha Elizabeth vdiq më 8 shtator dhe ai u shpall zyrtarisht monark i Britanisë dy ditë më vonë në një ceremoni të transmetuar për herë të parë në televizion.

Mbreti Charles tha se ai ishte "i vetëdijshëm për këtë trashëgimi të madhe dhe për detyrat dhe përgjegjësitë e mëdha të sovranit që tani kanë kaluar tek unë".

Nuk ka asnjë detyrim ligjor për organizimin e një ceremonie kurorëzimi, dhe monarkitë e tjera evropiane kanë hequr dorë nga ceremonitë e këtij lloji.

Britain Coronation 5 Things to Know
Britain Coronation 5 Things to Know

Por ceremonia thellësisht fetare dhe zyrtare është një konfirmim më formal i rolit të tij si kreu i shtetit dhe kreu titullar i Kishës së Anglisë dhe ka për qëllim të tregojë se autoriteti i mbretit rrjedh nga Zoti.

Gjatë shërbesës së drejtuar nga udhëheqësi shpirtëror i kishës, kryepeshkopi i Kantërbërit, mbreti Charles do të lyhet me vaj, ai do të marrë simbolet tradicionale të monarkut, duke përfshirë skeptrin. Atij për herë të parë do t'i vendoset në kokë kurora e Shën Eduardit. Bashkëshortja e Charles-it, Camilla, do të kurorëzohet si bashkëshorte mbretëreshë, e jo vetëm si mbretëreshë, sepse ajo nuk vjen në fron si pjesë linjës së famlijes mbretërore.

NDRYSHIMET NGA CEREMONIA E FUNDIT E KURORIZIMIT

Ceremonia e kurorëzimit daton në periudhën mesjetare dhe pjesa më e madhe e saj mbetet e pandryshuar.

Në Kishën mbretërore Westminster Abbey u kurorëzua edhe Mbreti William në 1066.

Kurorëzimi i Mbretëreshës Elizabeth II në qershor 1953 ishte i pari që u transmetua drejtpërdrejt në televizion. Transmetimi bardh e zi tërhoqi një audiencë prej dhjetëra miliona njerëzish në Britani dhe më vonë u transmetua për një audiencë mbarëbotërore. Në epokën e tanishme të transmetimit dhe mediave sociale, njerëzit do të jenë në gjendje të shikojnë kurorëzimin e Mbretit Charles drejtpërdrejt pothuajse kudo në botë.

Mbreti Charles ka thënë se ka në plan të reduktojë shpenzimet e monarkisë. Kurorëzimi i tij pritet ta pasqyrojë këtë me një ceremoni më të shkurtër se festa tre-orëshe e nënës së tij dhe 2000 të ftuar në audiencë, sa një e katërta e numrit që u mblodhën për të parë ceremoninë e kurorëzimit të Mbretëreshës Elizabeth.

Në shenjë tjetër ndryshimi që pasqyron përbërjen fetare të Mbretërisë së Bashkuar do të jetë roli që do të luajnë udhëheqësit fetarë budistë, hindu, hebrenj, myslimanë dhe sikë në ceremoninë e kurorëzimit. Kjo pasqyron zotimin e Mbretit Charles për të qenë "mbrojtës i besimeve", në krahasim me betimet e mëparshme, ku thuhej vetëm "mbrojtës i besimit", duke iu referuar fesë së krishtere.

CILËT JANË NË LISTËN E TË FTUARVE?

Njëqind krerë shtetesh pritet të marrin pjesë në ceremoninë e kurorëzimit, përfshirë anëtarë të familjeve mbretërore nga vende të tjera, si Princi i Kurorës së Japonisë Akishino dhe bashkëshorjta e tij, Kiko, Mbreti i Spanjës Felipe VI dhe Mbretëresha Letizia.

Shtetet e Bashkuara do të ruajnë traditën e mospjesëmarrjes së Presidentit të vendit në ceremoninë e kurorëzimit të një mbreti britanik, megjithëse zonja e parë Jill Biden do të jetë e pranishme në ceremoninë e kurorëzimit të Mbretit Charles.

William, Princi i Uellsit dhe trashëgimtari i fronit, pritet të gjunjëzohet para babait të tij dhe të zotohet për besnikërinë e tij në atë që njihet si Homazh i Gjakut Mbretëror.

Britain Coronation Family Drama
Britain Coronation Family Drama

Vëllai i tij më i vogël, Princi Harry, Duka i Suseksit, nuk pritet të marrë pjesë në këtë pjesë të ceremonisë. Libri i tij autobiografik "Spare", i cili ka qenë një nga librat më të shitur në fillim të këtij viti, përfshinte pretendime jo të këndshme për familjen mbretërore.

Deri tre javë më parë, nuk dihej nëse Harry dhe bashkëshorjta e tij, Meghan, do të merrnin pjesë në ceremoninë e kurorëzimit, pasi ata e kanë akuzuar për racizëm dhe manipulim mediatik familjen mbretërore.

Ndërsa Harry do të jetë i pranishëm në ceremoni, dukesha do të qëndrojë në shtëpinë e çiftit në Kaliforninë Jugore me dy fëmijët e tyre të vegjël, Princin Archie dhe Princeshën Lilibet.

Ceremonia e kurorëzimit do të mbahet vetëm pak ditë përpara se të fillojë gjyqi mbi padinë e parë të Harry-t ndaj shtypit tabloid britanik. Ky proces gjyqësor mund të zbulojë më shumë sekrete familjare.

Gjatë një seance dëgjimore në një rast të ngjashëm javën e kaluar, Harry tha në dokumentet e gjykatës se pallati mbretëror, me miratimin e mbretëreshës, kishte një marrëveshje me gazetat angleze të manjatit Rupert Murdoch për të zgjidhur akuzat për përgjimin e telefonave. Harry tha se ai mori një kërkesë nga personeli i pallatit mbretëror për të hequr dorë nga procesi gjyqësor ndaj gazetave sepse babai i tij donte të favorizohej nga shtypit.

Drama familjare nuk mbaron me kaq. Vëllai i Mbretit Charles, Princi Andrew, gjithashtu nuk pritet të luajë ndonjë rol në ceremoninë e kurorëzimit. Andrew hoqi dorë nga përgjegjësitë mbretërore dhe atij iu hoqën titujt ushtarakë dhe detyrat e tjera pas zbulimit të miqësisë së tij me të dënuarin për abuzime seksuale me vajza të mitura, Jeffrey Epstein. Princi Andrew e zgjidhi pa gjyq një padi me një grua që tha se ishte e detyruar të bënte seks me të kur ajo ishte adoleshente.

CILA ËSHTË RËNDËSIA E KURORËZIMIT?

Në një kohë kur sondazhet e opinionit tregojnë se mbështetja për monarkinë është dobësuar vitet e fundit, ky është shansi i Mbretit Charles për të kërkuar dhe shfaqur mbështetjen e publikut për monarkinë.

Turmat pritet të rreshtohen në rrugë për të brohoritur mbretin e ri dhe do të qëndrojë jashtë Pallatit Buckingham për të pritur paraqitjen e tij në ballkonin e pallatit mbretëror.

Britain Coronation Preparations
Britain Coronation Preparations

Ndërsa kritikat ndaj kurorës ishin relativisht të vogla vitet e fundit për shkak të respektit për mbretëreshën dhe dekadat e saj të shërbimit ndaj vendit, tani ka të ngjarë të ketë shumë më tepër diskutime mbi pyetjen nëse Britania ka ende nevojë për këtë institucion të vjetëruar apo nëse duhet të bëhet një republikë me një kryetar shteti të zgjedhur nga populli.

Udhëheqësi i grupit antimonarkist, “Republika” tha se planifikon të mbledhë më shumë se një mijë protestues të veshur me të verdha me mbishkrimin, "Nuk është Mbreti Im", gjatë parakalimit të familjes mbretërore në rrugën pranë pallatit mbretëror.

Megjithatë, për shumicën dërrmuese, kjo do të jetë një mundësi për të festuar identitetin e tyre britanik dhe për të treguar mbështetjen e tyre për një institucion që është subjekt i magjepsjes për kaq shumë njerëz në mbarë botën.

Britain Coronation 5 Things to Know
Britain Coronation 5 Things to Know

Rrugët do të jenë të veshura me flamuj të vendit, spektatorët do të vishen me të kuqe, të bardhë dhe blu dhe avionët ushtarakë do të fluturojnë lart duke lëshuar shtëllunga tymi në ngjyrat e flamurit kombëtar. Vetë madhështia dhe rrethanat e ceremonisë janë gjithashtu një kujtesë e kohës kur Britania ishte vendi më i fuqishëm në botë.

KUSH I PAGUAN SHPENZIMET PËR CEREMONINË E KURORËZIMIT?

Taksapaguesit do të paguajnë faturën për ceremoninë e kurorëzimit të Mbretit Charles. Nuk ka ende një vlerësim zyrtar se sa mund të kushtojë ceremonia, por ka patur njoftime se kostoja e saj mund të arrijë deri në 125 milionë dollarë.

Një zëdhënës i pallatit mbretëror tha të martën se kostoja e ceremonisë do të bëhej e ditur më vonë.

Ceremonia e kurorëzimit vjen në një kohë kur Britania e Madhe po përballet me një krizë të rritjes së kostos së jetesës, e cila vështirësoi përpjekjet e shumë banorëve për të ngrohur shtëpitë e tyre këtë dimër dhe për të blerë ushqimet e tyre të nevojshme.

Por shumë njerëz mund të përfitojnë nga shpenzimet për ceremoninë e kurorëzimit.

Britain Coronation Preparations
Britain Coronation Preparations

Zyrtarët presin të shohin një rritje të turizmit, ngjarjeve me temë ceremoninë e kurorëzimit dhe produkteve përkujtimore që mund të rrisin të ardhurat nga taksa mbi shitjet.

Adhuruesit që duan të kujtojnë ngjarjen historike mund të gjejnë gjithçka, nga produkte porcelani të cilësisë së lartë deri tek monedhat apo edhe maskat prej kartoni të Mbretit Charles dhe bashkëshortes së tij, Camilla. Biskotat, çokollatat dhe birrat me tema nga ceremonia e kurorëzimit me shumë gjasë do të harrohen shpejt.

XS
SM
MD
LG