Lidhje

Sulm me armë zjarri në Atlanta, një i vdekur, disa të plagosur; policia ndalon autorin e dyshuar


Autoblinda e policisë në Atlanta (3 maj 2023)
Autoblinda e policisë në Atlanta (3 maj 2023)

Policia njoftoi se arriti të kapë personin që dyshohet se hapi zjarr brenda dhomës së pritjes së një institucioni mjekësor në Atlanta, duke vrarë një grua dhe duke plagosur katër të tjera të mërkurën, ndërsa autoritetet zbarkuan në lagjen e zhurmshme në qendër të qytetit në kërkim të personit të armatosur.

Autoritetet thanë se Deion Patterson, 24 vjeç, vodhi një automjet dhe u largua pasi qëlloi pesë gra në katin e 11-të të një ndërtese mjekësore në Northside pak pas mesditës. Objekti është në një zonë komerciale me godina zyrash dhe apartamente shumëkatëshe dhe lajmet për të shtënat i detyruan punonjësit dhe klientët të strehohen brenda godinave për orë të tëra.

I dyshuari brenda një spitali në Atlanta
I dyshuari brenda një spitali në Atlanta

"Besojmë se (Patterson) ka grabitur një automjet në një distancë të shkurtër dhe ishte në gjendje të largohej nga vendi i ngjarjes ndërsa agjencitë e zbatimit të ligjit po zbrisnin në këtë zonë," tha shefi i policisë së Atlantës, Darin Schierbaum gjatë një konference për shtyp.

Schierbaum tha se një grua 39-vjeçare u shpall e vdekur në vendin e të shtënave. Katër viktimat e plagosura ishin gjithashtu gra, të moshave 25, 39, 56 dhe 71 vjeç.

Të plagosurat "po luftojnë për jetën e tyre në spitalin Grady", u tha gazetarëve kryebashkiaku i Atlantës, Andre Dickens.

I dyshuari për sulmin
I dyshuari për sulmin

Policia i kishte kërkuar kujtdo që kishte informacion në lidhje me vendndodhjen e të kërkuarit Patterson të telefononte në numrin e urgjencës dhe të mos i afrohej atij.

Nëna e tij, Minyone Patterson, i kishte thënë agjencisë së lajmeve Associated Press me telefon se djali i saj, një ish-ushtarak i Rojes Bregdetare, kishte "disa paqëndrueshmëri mendore" nga mjekimi që mori nga sistemi shëndetësor i Departamentit të Veteranëve që filloi ta merrte të premten. Ajo shtoi se nuk e dinte se ku gjendej djali i saj.

XS
SM
MD
LG