Lidhje

Gazetarët Pa Kufij: Gazetarët gjithnjë e më shumë në shënjestër


Organizata “Gazetarët pa Kufij” publikoi sot Indeksin Botëror të Lirisë së Shtypit për vitin 2023, sipas së cilit gazetarët në mbarë botën përballen me një mjedis gjithnjë e më armiqësor.

Raporti: Gazetarët gjithnjë e më shumë në shënjestër
please wait

No media source currently available

0:00 0:02:46 0:00


“Gazetarët Pa Kufij” vlerësoi gjendjen në 180 vende në vitin 2022 dhe arriti në përfundimin se mjedisi i lirisë së shtypit në 70 për qind të tyre është “problematik”.

“533 gazetarë u burgosën në mbarë botën, sipas vlerësimit tonë. Një faktor tjetër që po rrit paqëndrueshmërinë për gazetarët në mbarë botën është shpërndarja e dezinformatave që po përforcohen nga inteligjenca artificiale”, thotë për Zërin e Amerikës, Clayton Weimers, drejtor ekzekutiv i degës së kësaj organizate në Shtetet e Bashkuara.


Në mars, Moska arrestoi gazetarin amerikan të gazetës ‘Wall Street Journal’, Evan Gershkovich, nën akuza për spiunazh, që gazetari i mohon. Zoti Weimers vë në dukje se goditja e Rusisë ndaj mediave u përshpejtua pas fillimit të agresionit ndaj Ukrainës. Ajo tani renditet në vendin e 164, duke humbur 9 vende të tjera.

“Pamë masa shtypëse ndaj atyre që përmendnin luftën në internet; ndaj aftësisë së gazetarëve për të mbuluar atë që po ndodhte në të vërtetë. Pamë gjithashtu se forcat e armatosura ruse vunë në shënjestër mediat në fushën e betejës në Ukrainë dhe tetë gazetarë u vranë”, thotë zoti Weimers.

Azia Lindore ka gjithashtu disa nga rezultatet më të këqija në indeks. Vietnami u rendit i 178-i në listë për shkak të shtypjes së gazetarëve dhe analistëve.

“Në rastin e Kinës dhe Koresë së Veriut, nuk ka shtyp të lirë. Ai thjesht nuk ekziston”, thotë zoti Weimers.

Gazetarët në Iran u përballën me shtypje ndërsa mbulonin protestat pas vdekjes së Mahsa Aminit, pasi u arrestua nga policia e moralit. Edhe vlerësimi për lirinë e medias në Afrikë ra vitin e kaluar. Në Amerikën Latine, “Gazetarët pa Kufij” dha alarmin për mungesën e përgjegjësisë kur vriten gazetarët.

"Dhe kjo është nxitur në një pjesë të madhe nga vende si Meksika ku në thelb nuk funksionon më sundimi i ligjit", thotë zoti Weimers.

Vrasja e gazetarit investigativ Jeff German, i cili u godit për vdekje me thikë në shtator, kontribuoi në rënien e Amerikës me tre vende në renditje.

“Ka pasur gjithmonë raste kur njerëzit ose e shpërfillin rëndësinë e gazetarëve ose ndërmarrin veprime të dhunshme kundër tyre, në përpjekje për të shtypur informacionin dhe kontrolluar mesazhin”, thotë për Zërin e Amerikës Eileen O’Reilly, Presidente e Klubit Kombëtar të Shtypit.

Vënia para përgjegjësisë është kyç për mbrojtjen e lirive të medias, i thotë Zërit të Amerikës Guilherme Canela i UNESCO-s.

“Në disa vende, shkalla e mosndëshkimit është 99%. Shkalla globale është 86 për qind, një shifër e lartë. Pra, gjëja e parë që mund të bëjmë në shkallë ndërkombëtare është zbatimi konkret i parandalimit, mbrojtjes dhe ndjekjes penale”, thotë drejtori për Lirinë e Shprehjes dhe Sigurinë e Gazetarëve në UNESCO.

Në frontin dixhital, UNESCO thotë se gazetaret femra po kërcënohen gjithnjë e më shumë dhe në disa raste, po sulmohen fizikisht.

XS
SM
MD
LG