Lidhje

OKB: Luftimet mund të shkaktojnë largimin e 800 mijë njerëzve nga Sudani


American nationals arrive for evacuation from the port in Port Sudan
American nationals arrive for evacuation from the port in Port Sudan

Luftimet në Sudan midis dy fraksioneve ushtarake mund të detyrojnë largimin e më shumë se 800 mijë njerëzve nga vendi, paralajmëruan zyrtarë të OKB-së të hënën, ndërsa të dy palët vazhduan përleshjet mes tyre pavarësisht zgjatjes së një armëpushimi tjetër tre ditor.

Nënkryetari i Komisionerit të Lartë të OKB-së për Refugjatët, Raouf Mazou, tha të hënën se agjencia e refugjatëve po përgatitej për zhvendosjen e 815 mijë njerëzve nga Sudani në shtatë vende fqinje.

Rreth 73 mijë njerëz tashmë janë larguar nga Sudani, tha ai.

Kreu i UNHCR-së, Filippo Grandi, tha në një postim në Twitter të hënën se agjencia shpreson që shifrat e saj të planifikimit në fund do të jenë shumë të larta, por tha se "nëse dhuna nuk ndalet, do të shohim largimin e më shumë njerëzve nga Sudani".

Banorët në kryeqytetin e Sudanit, Kartum, dhe qytetet e tij fqinje, raportuan se dëgjuan sulme ajrore dhe zjarr artilerie të hënën, pavarësisht marrëveshjes së arritur të dielën për zgjatjen e armëpushimit për 72 orë të tjera.

Një numër armëpushimesh të përkohshme shpesh janë shkelur nga të dyja palët. Armëpushimet u vendosën nga dy fraksionet ndërluftuese për të lejuar kalimin e sigurt të njerëzve dhe për të krijuar kushtet për arritjen e ndihmave humanitare në vend. Megjithatë, ndërsa luftimet janë zbutur në disa pjesë të kryeqytetit, luftimet e ashpra kanë vazhduar në rajone të tjera. Palët kanë fajësuar njëra-tjetrën për shkelje të armëpushimit.

Zyrtari i lartë i OKB-së në Sudan, Volker Perthes, i tha agjencisë së lajmeve Associated Press të hënën se gjeneralët e palëve ndërluftuese të Sudanit kanë rënë dakord të dërgojnë përfaqësues, ndoshta në Arabinë Saudite, për negociata.

Ambasadori sudanez në Shtetet e Bashkuara, Mohamed Abdalla Idris, i tha Zërit të Amerikës se shpreson që armëpushimi përfundimisht do të çojë në bisedime domethënëse afatgjata të paqes.

Më shumë se 500 njerëz njoftohet se janë vrarë që nga fillimi i luftimeve më 15 prill mes shefit të ushtrisë së Sudanit Abdel Fattah al Burhan dhe gjeneralit Mohamed Hamdan Dagalo, i cili drejton Forcat paraushtarake të Mbështetjes së Shpejtë. Dy gjeneralët kanë qenë aleatë në qeverinë kalimtare të Sudanit, të krijuar pas një grushti shteti të vitit 2021.

XS
SM
MD
LG