Lidhje

Shkrimtarja dëshmon në gjyq: “Donald Trump më përdhunoi”


Në një vizatim nga salla e gjyqit shfaqet duke dëshmuar E.Jean Carroll (26 prill 2023)
Në një vizatim nga salla e gjyqit shfaqet duke dëshmuar E.Jean Carroll (26 prill 2023)

NJU JORK – Fillimisht, ajo mendoi se po ta ndihmonte Donald Trump-in për të blerë veshje të brendshme grash në një dyqan luksoz do të ishte thjesht “diçka argëtuese në Nju Jork”.

Sipas E.Jean Carroll, madje edhe kur ish-sipërmarrësi e orientoi drejt dhomave të ndërrimit, ndërsa sfidonin njëri-tjetrin për të provuar një palë të brendshme transparente, ajo imagjinoi diçka të ngjashme me një skeç që kishte shkruar për emisionin humoristik “Saturday Night Live”.

Por shumë shpejt, “e gjithë arsyeja që isha gjallë në atë moment ishte për t’u larguar nga ajo dhomë”, dëshmoi zonja Carroll të mërkurën në gjyqin për padinë e saj për përdhunim.

“Jam këtu pasi Donald Trump-i më përdhunoi, dhe kur shkruajta për këtë, ai tha se nuk ka ndodhur. Ai gënjeu dhe dëmtoi reputacionin tim dhe unë jam këtu që të përpiqem të rifitoj jetën time”, u tha zonja Carroll anëtarëve të jurisë gjyqësore.

Ndërsa ajo u ul në bankinë ku shpesh u përlot, nga larg zoti Trump përsëriti këmbënguljen e tij se pretendimi i zonjës Carroll për një përdhunim në vitin 1996 është krejtësisht sajesë. Ai e quajti çështjen “një mashtrim i sajuar”.

“Kjo është një histori mashtruese & false – Gjueti Shtrigash!”, shkruajti zoti Trump në platformën e tij të mediave sociale, Truth Social. Komentet e tij e shtynë gjykatësin që të paralajmërojë avokatët e zotit Trump se ai mund t’i sjellë kështu vetes probleme të mëtejshme ligjore.

Ish-Presidenti Trump nuk ka marrë pjesë deri më tani gjatë procesit gjyqësor, por avokatët e tij thanë të martën se ai ndoshta mund të vendosë të dëshmojë.

Gjyqi vjen ndërsa ish-presidenti po kërkon të marrë sërish nominimin republikan për të kandiduar për president, dhe disa javë pasi u vetëdeklarua i pafajshëm për akuza të tjera penale që kanë të bëjnë me pagesat për të fituar heshtjen e një aktoreje pornografike, e cila thotë se ka patur marrëdhënie seksuale me të.

Zonja Carroll, ish-autore 79 vjeçare e artikujve ku jepte këshilla, ishte pothuajse në rolin e dëshmitares. Pasi qau duke u thënë anëtarëve të jurisë se “të kem mundësinë të shfaqem në gjykatë do të thotë gjithçka për mua”, ajo e mblodhi veten me shpejtësi dhe nuk pranoi të bënte pushim.

“Nuk do të rri këtu duke qarë dhe të humbas kohën e të gjithëve”, tha ajo.

Zonja Carroll dëshmoi se u shkëmbye me zotin Trump tek dyert rrotulluese të dyqanit luksoz Bergdorf Goodman në mbrëmjen e një të enjteje në pranverën e vitit 1996. Në atë kohë, ajo po shkruante për revistën Elle, pasi kishte shkruar më parë edhe për emisionin e humorit “SNL”. Në atë kohë, zoti Trump ishte manjat i pasurive të patundshme dhe i njohur në rrethet sociale të Nju Jorkut.

Zonja E.Jean Carroll duke mbërritur në gjykatë (26 prill 2023)
Zonja E.Jean Carroll duke mbërritur në gjykatë (26 prill 2023)

Ajo tha se ai i kërkoi këshilla për të përzgjedhur një dhuratë për një grua, dhe se ajo ndihmoi me kënaqësi. Si një shkrimtare që ofronte këshilla, të merrte kërkesë nga zoti Trump për ta ndihmuar me dhuratat “ishte një mundësi e mrekullueshme”, dhe zonja Carroll mendoi se kështu do të dilte edhe me një histori argëtuese, tha ajo.

Ajo dëshmoi se pati sugjeruar një kapele, por se ai kishte anuar tek të brendshmet, dhe se shumë shpejt filluan të bënin humor për të brendshmet. E argëtuar dhe flirtuese, ajo vazhdoi lojën, duke qeshur edhe kur ai mbylli derën e dhomës së veshjes, ndoshta madje edhe kur e shtyu drejt murit.

Por në vazhdim, ai e përdhunoi, megjithë refuzimin e saj. Ajo arriti më në fund ta shtyjë me gjunj dhe u largua.

Zonja Carroll tha se për dekada të tëra, ajo u tregoi vetëm dy shoqeve pasi kishte frikë se zoti Trump do të hakmerrej, pasi ajo mendonte se ishte faji i saj dhe sepse mendonte se shumë njerëz fajësojnë viktimat e përdhunimit për atë që u ndodhi.

Ish-Presidenti Trump, 76 vjeç, ka thënë se nuk ka qenë në dyqan me zonjën Carroll dhe se nuk kishte dijeni se kush ajo ishte në momentin kur e bëri këtë histori publike për herë të parë.

Zonja Carroll pritet ta vazhdojë dëshminë edhe gjatë të enjtes, kur avokatët e zotit Trump do të kenë ndoshta mundësinë për t’i drejtuar asaj pyetje.

XS
SM
MD
LG