Lidhje

Talebanët vrasin organizatorin e sulmit në aeroportin e Kabulit


Udhëheqësi i një celule terroriste të grupit të Shtetit Islamik që organizoi sulmin e gushtit të vitit 2021 në aeroportin e Kabulit, ku vdiqën 13 trupa të ushtrisë amerikane dhe rreth 170 civilë afganë është vrarë, gjatë përpleshjeve të fundit me talebanët që drejtojnë Afganistanin.

Zyrtarë të Shteteve të Bashkuara, të cilët fillimisht konfirmuan për Zërin e Amerikës në kushtet e anonimitetetit lajmin për vdekjen e tij, me synim analizimin e informacioneve dhe fakteve, nuk pranuan të identifikonin udhëheqësin e celulës terroriste apo të jepnin të dhëna se kur dhe ku ishte vrarë ai.

Vdekja e udhëheqësit të celulës terroriste të Shtetit Islamik u konfimua pasi disa media amerikane njoftuan se zyrtarë të Shteteve të Bashkuara kishin komunikuar me anëtarë të familjeve të 13 trupave amerikane që mbetën të vrarë në sulmin e Portën Abbey në aeroportin e Kabulit, për t’i njoftuar mbi vrasjen e tij.


Udhëheqësi i ISIS-it, identiteti i të cilit ende nuk është bërë i ditur, u vra në Afganistanin jugor në fillim të prillit, ndërsa talebanët kryen një seri operacionesh kundër grupit të Shtetit Islamik, sipas njërit prej zyrtarëve.

Darin Hoover, babai i togerit Darin Taylor Hoover, tha se zyrtarët e shërbimit të marinsave i dhanë atij vetëm informacion të kufizuar të martën dhe nuk e identifikuan udhëheqësin e Shtetit Islamik dhe as nuk dhanë rrethanat e vdekjes së tij.

Zoti Hoover është një nga pjesëtarët e një grupi prej 12 familjesh të anëtarëve të forcave amerikane që kanë humbur jetën, të cilët janë mbështetur tek njëri-tjetri dhe kanë ndarë informacione përmes grupit të mesazheve që kur ndodhi bombardimi.

Sulmi në Portën Abbey në kohën kur forcat amerikane po tërhiqeshin nga Afganistani la gjurmë të thella tek Shtetet e Bashkuara.

Sulmi me bombë ndodhi më 26 gusht 2021, ndërsa trupat amerikane po përpiqeshin të ndihmonin amerikanët dhe afganët të largoheshin si pasojë e situatës kaotike pas marrjes së pushtetit nga talebanët.

Dega afgane e Shtetit Islamik, e njohur si Shteti Islamik Khorasan ose ISIS-K, sipas një emri të vjetër të rajonit, është armik i talebanëve. Luftëtarët besnikë të Shtetit Islamik u shfaqën fillimisht në Afganistanin lindor në vitin 2014 dhe më vonë depërtuan në zona të tjera.

XS
SM
MD
LG