Lidhje

Personeli i Ambasadës amerikane evakuohet nga Sudani


Shtetet e Bashkuara evakuuan diplomatët dhe familjet e tyre nga ambasada amerikane në Khartoum herët të dielën dhe pezulluan përkohësisht operacionet e ambasadës. Sekretari amerikan i Shtetit Antony Blinken tha se urdhëroi mbylljen e përkohshme të ambasadës për shkak të "rreziqeve serioze dhe në rritje të sigurisë të krijuara nga konflikti midis Forcave të Armatosura Sudaneze dhe Forcave të Mbështetjes së Shpejtë", që ka shkaktuar një numër të konsiderueshëm të vdekjeve dhe plagosjeve të civilëve.

Presidenti Joe Biden, tha se evakuimi u përmbyll dhe falënderoi trupat amerikane që kryen misionin.

“Jam krenar për angazhimin e jashtëzakonshëm të personelit të ambasadës sonë, të cilët i kryen detyrat e tyre me guxim dhe profesionalizëm dhe mishëruan miqësinë dhe lidhjen e Amerikës me popullin e Sudanit”, tha presidenti Biden, i cili falënderoi gjithashtu Xhibutin, Etiopinë dhe Arabinë Saudite, të cilat tha ai, luajtën një rol thelbësor në "suksesin e operacionit tonë".

Rreth 70 amerikanë u transportuan me avion nga ambasada në një vend të panjohur në Etiopi, i thanë agjencisë së lajmeve Associated Press dy zyrtarë amerikanë të njohur me misionin, që folën në kushte anonimiteti për shkak të natyrës së ndjeshme të misionit. Në operacion u përfshinë edhe diplomatë nga ambasadat e tjera që ishin në ambasadën amerikane në kohën e transportit ajror, tha një zyrtar.

Presidenti Biden urdhëroi evakuimin, thanë zyrtarët, pasi mori një vlerësim të shtunën nga këshilltarët e sigurisë kombëtare se luftimet nuk do të ndaleshin.

Ditët e fundit, sekretari Blinken ka folur vazhdimisht me gjeneralin Abdel Fattah Burhan, komandantin e Forcave të Armatosura sudaneze, dhe me gjeneralin Mohamed Hamdan Dagalo, komandantin e Forcave Rivale të Mbështetjes së Shpejtë, të njohur si Hemedti.

Sekretari Blinken u bëri thirrje të dy gjeneralëve që të mbështesin armëpushimin të paktën deri në fund të festës myslimane të Fitër Bajramit. Ai e përsëriti thirrjen për të dyja palët në deklaratën e tij të shtunën mbrëma.

Dy gjeneralët janë ish aleatë që morën pushtetin në një grusht shteti të vitit 2021, por më vonë u ndanë në një luftë të ashpër për pushtet.

Luftimet e papritura që shpërthyen një javë më parë e kanë sjellë qytetin me më shumë se 5 milionë banorë në prag të kolapsit, me banorët që fshihen në shtëpitë e tyre pa energji elektrike mes bombardimeve dhe me luftëtarët plaçkitës që enden rrugëve.

Sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë, më shumë se 400 njerëz janë vrarë gjatë luftimeve.

Ekspertët i thanë Zërit të Amerikës se situata në Khartoum është e rëndë. Nicole Widdersheim, zëvendësdrejtoreshë në Human Rights Watch, foli me Zërin e Amerikës përmes platformës Zoom.

“Ajo për të cilën jam më e shqetësuar është se po dëgjojmë gjithashtu se sudanezët vazhdojnë të përpiqen të largohen nga bombardimet dhe sulmet ajrore, të cilat unë e kuptoj nga ekspertët tanë që janë në kontakt të drejtpërdrejtë me njerëzit në Khartoum, po përkeqësohet”, tha ajo.

XS
SM
MD
LG