Si kreditori më i madh zyrtar dypalësh në botë, Kina duhet të marrë pjesë në lehtësimin e borxhit për vendet që përballen me probleme, por ajo për një kohë të gjatë ka "bllokuar" veprimet e nevojshme, tha Sekretarja e Thesarit Janet Yellen në një fjalim mbi marrëdhëniet SHBA-Kinë të enjten.
Zonja Yellen tha se Shtetet e Bashkuara prisnin që Kina të përmbushte premtimin e saj për të punuar në mënyrë konstruktive për çështjet si lehtësimi i borxhit dhe ndryshimet klimatike, duke vënë në dukje se vonesat në ristrukturimin i borxhit rritën kostot si për huamarrësit ashtu edhe për huadhënësit.
Gjatë fjalimit në Universitetin Johns Hopkins, Janet Yellen mirëpriti vendimin e fundit të Kinës për t’i dhënë garanci të besueshme financimi Sri Lankës, por tha se Uashingtoni vazhdon të bëjë thirrje për "pjesëmarrjen e plotë" të Kinës në procesin e ristrukturimit të borxhit për Zambinë, Ganën dhe vende të tjera.
Komentet e zonjës Yellen erdhën pasi zyrtarë globalë të financave nga vendet huadhënëse dhe huamarrëse, Fondi Monetar Ndërkombëtar, Banka Botërore dhe sektori privat u takuan në Uashington javën e kaluar për të diskutuar përshpejtimin e përpjekjeve të ristrukturimit të borxhit, të ngecur prej kohësh. FMN-ja vlerëson se më shumë se gjysma e vendeve me të ardhura të ulëta janë afër ose tashmë kanë arritur në pikën kur nuk mund të menaxhojnë borxhet e tyre.
Shefja e FMN-së Kristalina Georgieva tha të premten se Tryeza e re e Rrumbullakët e Borxhit Sovran Global kishte arritur "përparim" në çështjen e ristrukturimit të borxhit. Ajo tha se Kina dhe pjesëmarrësit e tjerë kishin arritur një mirëkuptim të përbashkët se bankat e zhvillimit mund të ofrojnë ndihmë për vendet në nevojë.
Kina prej kohësh nuk ka qenë e gatshme të pranojë humbje nga huadhëniet, nëse kreditorët e sektorit privat dhe bankat e zhvillimit nuk mbajnë pjesën e tyre të barrës.
"Pjesëmarrja e Kinës është thelbësore për lehtësimin kuptimplotë të borxhit, por për një kohë të gjatë ajo nuk ka lëvizur në një mënyrë gjithëpërfshirëse dhe në kohë. Ajo ka shërbyer si një pengesë për veprimet e nevojshme", tha Yellen.
Shtetet e Bashkuara dhe Kina, dy ekonomitë më të mëdha në botë, kanë përgjegjësinë të punojnë së bashku për të ndihmuar tregjet në zhvillim dhe vendet në zhvillim që po përballen me vështirësitë e krijuara nga borxhet, tha ajo.
"Kina si kreditori zyrtar dypalësh më i madh në botë nuk mund të shmang përgjegjësitë ndaj kreditorëve të tjerë zyrtarë kur ata nuk mund të shlyejnë plotësisht borxhin", tha Sekretarja amerikane e Thesarit.
Zonja Yellen tha se Uashingtoni po punon me palët e tjera për të përmirësuar procesin e Kornizës së Përbashkët të Grupit të 20 për vendet me të ardhura të ulëta dhe procesin e përgjithshëm të menaxhimit të borxhit, duke shtuar se "Zgjidhja e këtyre çështjeve është një provë e vërtetë e multilateralizmit".
Ajo tha se Shtetet e Bashkuara dhe Kina, dy emetuesit më të mëdhenj të gazeve të dëmshëm, gjithashtu duhej të punonin së bashku për të trajtuar ndryshimet klimatike dhe i bëri thirrje Pekinit t'i jepte fund financimit jashtë shtetit të termocentraleve që funksionojnë me qymyr.