Lidhje

Simulimi i një lufte në Tajvan, nëpërmjet një loje tregon nevojën për ta furnizuar me armë


Një lojë që simulonte pushtimin e Tajvanit nga Kina tregoi nevojën për armatimin e ishullit "deri në dhëmbë", tha të enjten kryetari i komitetit të posaçëm për Kinën në Kongresin e Shteteve të Bashkuara.

Ligjvënësi Mike Gallagher tha se ushtrimi që synonte të shqyrtonte skenarët e mundshëm në rast krize në Tajvan, i cili u krye në Kongres, tregoi se Shtetet e Bashkuara duhet të rrisin prodhimin e raketave me rreze të gjatë dhe se bizneset duhet të përgatiten për pasojat ekonomike.

Komiteti i Përzgjedhur i Dhomës së Përfaqësuesve për Partinë Komuniste Kineze, i udhëhequr nga republikani Mike Gallagher, e bëri ushtrimin e pazakontë, të mërkurën në mbrëmje, së bashku me Qendrën për Siguri të Re Amerikane, me seli në Uashington.

Në përfundimit të tij rezultoi se Shtetet e Bashkuara do ta kishin të pamundur të furnizonin me armë Tajvanin pas nisjes së konfliktit.

"Jemi para rrezikut maksimal për pushtimin e Tajvanit nga Partia Komuniste Kineze dhe loja e djeshme e luftës theksoi nevojën për të ndërmarrë veprime për të penguar agresionin e Partisë Komuniste dhe për ta armatosur Tajvanin deri në dhëmbë përpara se të fillojë ndonjë krizë," tha zoti Gallagher përmes një deklarate.

“Shtetet e Bashkuara duhet të dërgojnë rezervat e armëve me vlerë 19 miliardë dollarë që janë miratuar për mbrojtjen e Tajvanit, të kryejnë trajnime të përbashkëta ushtarake dhe të përforcojnë ushtrinë amerikane në rajon”, tha ai.

Mundësia për një konflikt në ishullin e vetëqeverisur të Tajvant, të cilin Pekini e pretendon si pjesë të territorit të tij, është kthyer në një çështje që si rrallë herë po shqetëson të dy palët politike në Uashington.

Zyrtarët amerikanë thonë se presidenti kinez Xi Jinping ka urdhëruar ushtrinë që të jetë gati për të pushtuar ishullin deri në vitin 2027, por e pranojnë se kjo nuk do të thotë se Kina ka vendosur ta ndërmarrë këtë veprim.

Kina nuk është tërhequr asnjëherë nga ideja e përdorimit të forcës për të vënë nën kontrollin e saj Tajvanin. Shtetet e Bashkuara janë furnizuesi kryesor me armë për Tajvanin, por ishulli është ankuar se Uashingtoni po vonon dërgimin e tyre.

Ambasada de facto e Tajvanit në Uashington nuk iu përgjigj menjëherë një kërkese të agjencisë së lajmeve Reuters për koment mbi lojën e luftës.

Një person i afërt me komitetin renditi për Reuters konkluzionet e lojës së luftës, të cilat përfshinin humbje të larta për Shtetet e Bashkura nëse Uashingtoni nuk ruante marrëveshjet bazë me aleatët rajonalë, shterimin e shpejtë të rezervave të raketave me rreze të gjatë veprimi dhe "tronditje të thellë" të tregjeve botërore.

"Komuniteti i biznesit nuk po e merr mjaftueshëm seriozisht kërcënimin e një krize në Tajvan," tha zoti Gallagher përpara lojës, duke paralajmëruar se një qëndrim i tillë "është në kufijtë e braktisjes së detyrimit ligjor të bizneseve për të vepruar në interesin më të mirë të aksionerëve dhe palëve të interesuara”.

XS
SM
MD
LG