Lidhje

Përplasje politike rreth arrestimit të drejtorit të Korporatës Energjetike të Kosovës


Pamje nga një seancë e parlamentit të Kosovës - arkiv
Pamje nga një seancë e parlamentit të Kosovës - arkiv

Një gjykatë në Prishtinë i caktoi masën e paraburgimit prej 30 ditësh drejtorit të Korporatës Energjetike të Kosovës, arrestimi i të cilit nxiti përplasje politike edhe në parlamentin e vendit.

Prokuroria e Posaçme e Kosovës tha se drejtori i Korporatës Energjetike, Nagip Krasniqi, dyshohet për keqpërdorim të pozitës apo autoritetit zyrtar, ushtrim ndikimi dhe konflikt interesi. Prokuroria nuk dha më shumë hollësi rreth arrestimit të zotit Krasniqi, i cili u zgjodh drejtor në Korporatën Energjetike në muajin tetor të vitit 2021.

Arrestimi i tij nxiti debate të ashpra ndërmjet pushtetit dhe opozitës në parlamentin e Kosovës.

Kryeministri Albin Kurti akuzoi Prokurorinë e Shtetit për qasje negative kundër qeverisë së tij.

Unë nuk kam dyshim, që në Prokurorinë e Shtetit dhe atë sa më lart aq më shumë, ekziston një disponim politik negativ ndaj qeverisjes sonë dhe jo vetëm ndaj meje si Kryeministër, por ndaj qeverisjes sonë dhe jo vetëm ndaj qeverisjes sonë, por edhe ndaj pushtetit të ri të dalë nga 14 shkurti i vitit 2021, nga zgjedhjet e lira dhe demokratike, të cilat e sollën ndryshimin e madh në Republikën tonë”, tha ai.

Kryeministri Kurti tha se prokuroria asnjëherë nuk i ka trajtuar keqpërdorimet në të kaluarën në kohën kur qeveria e tij nuk ishte në pushtet. Ai akuzoi kandidatin për Kryeprokuror të Shtetit, Blerim Isufaj, si kundërshtues të politikave të pushtetit të ri.

Zoti Isufaj është përzgjedhur kandidat për të udhëhequr Prokurorinë e Shtetit nga Këshilli Prokurorial i Kosovës, dhe është në pritje të miratimit nga ana e presidentes së Kosovës. Por edhe më shumë se një vit, presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, nuk e ka miratuar vendim ndërsa ka kërkuar siç ka thënë ‘më shumë informacione dhe këshillime para se të vendosë’.

Emri i kundërshtimit të ndryshimit të madh në Kosovë, që është i domosdoshëm në realitetin e njerëzve jo vetëm në kutitë e votimit më 14 shkurt 2021, sot është Blerim Isufaj. Ky është thelbi i çështjes...”, tha kryeministri Kurti, duke theksuar se zoti Isufaj dëshiron të bëhet prokuror përkundër vullnetit dhe qëndrimit të presidentes, kryeministrit dhe kryeparlamentarit.

Por nuk do të munden, nuk do të munden jo pse jam unë, jo pse jeni ju, por pse në këtë shtet ka edhe Republikë edhe popull”, tha kryeministri Kurti.

Partitë opozitare akuzuan qeverinë dhe deputetët e shumicës për sulm ndaj sistemit të drejtësisë. Deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Hykmete Bajrami, tha se sulmet e tilla janë të papranueshme.

Deklaratat e juaja me akuza dhe deklarata denigruese për prokurorinë dhe drejtësinë e shtetit kanë për qëllim jo vetëm me i pengu hetimet në rastin konkret por kanë për qëllim shantazhimi dhe frikësimi të gjyqtarëve e prokurorëve që rastet e tilla mos të hetohen asnjëherë. Ju që e keni gojën plot drejtësi e keni humbur kredibiletitin për çfarëdo reforme sepse ju po mendoni se drejtësia ndahet në bazë të përkatësisë partiake”, tha zonja Bajrami.

Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj tha se ndarja e pushteteve është themeli i funksionimit të sistemit demokratik të një shteti.

Kur pushteti e sulmon sistemin gjyqësor të vendit të vet, ai pushtet e ka një problem serioz. Kryeministri gabon rëndë kur i jep të drejtë vetes për t'i gjykuar veprimet e një prokurori, edhe nëse ai ka dyshime për punën e tij. Ai rrëshqet në diktaturë kur thotë se një person nuk do të mund të bëhet kryeprokuror sepse kjo është kundër dëshirës së tij”, tha mes tjerash ai.

Opozita braktisi seancën e parlamentit pasi nuk u përkrah kërkesa e saj për debat lidhur me arrestimin e drejtorit të Korporatës Energjetike të Kosovës.

Kjo korporatë është ndërmarrja kryesore për prodhimin e energjisë elektrike në vend.

XS
SM
MD
LG