Lidhje

Analistët: Fushata zgjedhore në Shqipëri, ende larg shqetësimeve të qytetarëve


Valbona Sulçe, studiuese e mediave dhe Gjergj Vurmo, IDM
Valbona Sulçe, studiuese e mediave dhe Gjergj Vurmo, IDM

Analistët pohojnë se fushata zgjedhore ka nisur vrullshëm prej disa muajsh dhe bashkë me të janë shtuar edhe sfidat, që duhen kapërcyer.

Analistët: Fushata zgjedhore në Shqipëri, ende larg shqetësimeve të qytetarëve
please wait

No media source currently available

0:00 0:03:46 0:00

Përfaqësuesi i Institutit për Demokraci dhe Ndërmjetësim, Gjergj Vurmo, thotë se në çështje si mirëqeverisja dhe siguria publike, lufta kundër krimit dhe korrupsionit trajektorja e rezultateve nuk është aq pozitive sa pritet në raport me reformat e vendit, procesi i integrimit dhe konsolidimit të institucioneve demokratike.

“Media ka raportuar dhe të gjithë ne jemi dëshmitarë të një situate të sigurisë publike mjaft sfiduese me ngjarje mjaft të rënda, të cilat me sa duket, sidomos ngjarjet e fundit kanë edhe lidhjet e tyre edhe me pjesën e fushatës elektorale. Ka shumë vend për përmirësim dhe për fat të keq po përballemi edhe me disa sfida mjaft shqetësuese”, thotë zoti Vurmo.

Analistët vërejnë se nga shumë pikëpamje këto nuk janë zgjedhje të zakonshme vendore. Shumica është në mandatin e tretë qeverisës, po ashtu synojnë edhe shumë bashkiakë në mbarë vendin.

Por sipas tyre, mungon përsëri një debat i vërtetë mbi alternativat e qeverisjes vendore, se fushata po mbizotërohet nga politikanët kryesorë, të cilët po bëjnë premtime në shkallë kombëtare, duke anashkaluar problemet, që vuajnë aktualisht qytetet.

“Duket se edhe kjo fushatë elektorale po shkon në të njëjtën prirje si herët e tjera, duke anashkaluar pjesën e përballjes së ofertave politike dhe duke e mbajtur debatin kryesisht në nivelin e kryetarëve të partive. Gazetarët dhe media nuk po ngulmojnë aq sa duhet për të marrë atë informacion që u nevojitet qytetarëve për të bërë zgjedhjen e tyre politike”, thotë Valbona Sulçe, studiuese e medias.

Zhvilimet politike janë një test edhe për vet institucionet, thonë ekspertët. Zoti Vurmo thekson se pritshmëria që qytetarët shprehin në sondazhe është ajo se institucionet shtetërore duhet të shprehin një shkallë më të lartë qëndrueshmërie, maturiteti dhe me fokus më shumë tek forcimi i institucionit dhe jo tek rikthimi i sfidave, që i kemi parë rregullisht në këto 3 dekada tranzicioni.

“Është koha që institucionet të tregojnë maturi dhe të tregojnë se vendi e meriton këtë stad ku ndodhet tani në kuadër të marrëdhënieve me Bashkimin Europian. Në të kundërt, zhvillimi i procesit të integrimit do të ngelet sërish në të njëjtin vend, do të riciklohen të njëjtat sfida dhe do të riciklohen pse jo edhe të njëjtat raporte nga ana e BE-së”, thotë zoti Vurmo.

Analistët vërejnë se ende nuk po bëhet një bilanc se sa nga premtimet e mëparshme janë realizuar, dhe se çfarë konkretisht po premtohet në këtë fushatë.

Zonja Sulçe thekson se gazetarët duhet të shkojnë më shumë pranë kandidatëve dhe t’i pyesin për platformat, për të informuar qytetarët për problemet konkrete të tyre dhe jo t’i marrin videot e fushatës të gatshme nga partitë.

Ajo thotë se medias i duhet guxim për të kapërcyer gjendjen, për të përmbushur misionin e vet, t’u tregojë qytetarëve të vërtetën dhe të mos ndikohet nga lidhjet e padukshme.

“Ekziston një lidhje e pashëndetshme midis medias dhe politikës në Shqipëri. Politika përcakton politikat editoriale të medias. Askush nuk i detyron gazetarët që të marrin kasetat e gatshme të prodhuara nga partitë politike dhe t’i transmetojnë si punë të tyre. Duke vepruar në këtë mënyrë ata kanë mashtruar opinionin publik dhe nga ana tjetër ata i bëjnë një shërbim propagande të dy anëve të politikës, të cilat u kanë një informacion të paverifikuar”, thotë zonja Sulçe.

Studiuesit vërejnë se Shqipëria ka nevojë për aktivizëm më të madh të shoqërisë civile. Kjo është arsyeja që Instituti për Demokraci dhe Ndërmjetësim ndau sot sërish grante me organizata nga gjithë vendi për nisma vendore, pjesë e projektit rajonal SMART Balkans.

Ato mbështesin projekte mbi grupet vunerabël në zonat rurale, mbrojtjen e grave dhe vajzave prej dhunës në familje, kujdesin dhe strehim të komunitetit rom dhe egjiptian, për të rinjtë që nuk dëgjojnë si dhe nisma të tjera konkrete pranë komuniteteve në nevojë.

XS
SM
MD
LG