Pas vendimit të një gjykate në Moskë që dënoi politikanin opozitar Vladimir Kara-Murza me 25 vjet burg për tradhëti dhe diskreditim të ushtrisë ruse, bashkëshortja e tij, Evgenia Kara-Murza flet për Zërin e Amerikës. Ajo thotë se do të vazhdojë betejën për lirinë e tij.
Në intervistën për shërbimin rus të Zërit të Amerikës, Evgenia Kara-Murza tha se nuk do të dorëzohet kurrë së kërkuari që i shoqi i saj të lihet i lirë.
“Është e frikshme kur dëgjon se beteja mund të mos zgjasi për muaj, por për vite me radhë. Por unë do ta vazhdoj për aq kohë sa të jetë e nevojshme. Bëhet fjalë për njeriun që dua dhe respektoj. Po luftoj për babanë e fëmijëve të mi. Sigurisht më mungon shumë shtëpia, vendi im. Por jam zemërthyer me gjithçka që po ndodh. Si nënë, si bashkëshorte e një të burgosuri politik dhe si një qytetare ruse”, thotë ajo.
Vladimir Kara-Murza, i cili ndodhet në burg prej një viti nuk pranoi akuzat dhe tha se dënimi i tij ishte i motivuar politikisht.
Dënimi i tij, ishte më i ashpri i këtij lloji dhe shënon hapin e radhës ndaj goditjes së pamëshirshme të opozitës ruse që kur Moska filloi agresionin ushtarak në Ukrainë vitin e kaluar.
Akuzat kundër zotit Kara-Murza u ngritën bazuar në një fjalim të tij më 15 mars në Dhomën e Përfaqësuesve të shtetit amerikan të Arizonës gjatë të cilit ai kritikoi sulmin e Rusisë ndaj Ukrainës. Gjatpë kohës që ai ndodhej në paraburgim, autoritetet shtuan edhe akuzën për tradhëti.
Po dje, gjykata e Qytetit të Moskës vendosi ta mbajë në paraburgim gazetarin amerikan Evan Gershkovich në pritje të përfundimit të procesit gjyqësor. Ai akuzohet për spiunazh.
Shërbimi Federal i Sigurisë së Rusisë e arrestoi në mars 31-vjeçarin në Yekaterinburg dhe e akuzoi atë se po përpiqej të merrte informacione sekrete në lidhje me një fabrikë ruse armësh.
Gazeta “Wall Street Journal” dhe qeveria e Shteteve të Bashkuar i kanë mohuar akuzat për spiunazh. Nëse ai shpallet fajtor, mund të dënohet deri në 20 vjet burg.
Zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë, Karine Jean-Pierre e dënoi vendimin e gjykatës së Moskës, si dhe bëri thirrje për lirimin e menjëhershëm të gazetarit dhe shtetasit tjetër amerikan Paul Whelan.
“Jemi thellësisht që shqetësuar nga lajmi se Rusia do të vazhdojë të mbajë në burg Evanin pas procesit të turpshëm gjyqësor ditën e sotme, sepse këtë pamë. Administrata e Presidentit Biden dhe Nënpresidentes Kamala Harris po angazohohet me çdo mjet me Rusinë për të rikthyer në shtëpi Evanin dhe Paul Whelanin, që është gjithashtu përparësi për ne”, tha zëdhënësja.
Paul Whelan është burgosur në Rusi që nga dhjetori i vitit 2018 nën akuzat për spiunazh.
Shtetet e Bashkuara thonë se si gazetari Gershkovich dhe ish anëtari i marinës amerikane Whelan duhet të kthehen pranë familjeve të tyre.