Në Shqipëri, mijëra besimtarë të krishterë festuan sot Pashkën ortodokse, një nga ngjarjet më të rëndësishme të besimit të tyre. Në katedralen Ringjallja e Krishtit në kryeqytet ceremonialet i drejtoi Kryepeshkopi i Kishës Ortodokse Shqiptare, Anastas Janullatos. Besimtarët morën dritën e shenjtë dhe përplasën vezët e Pashkës me njëri tjetrin.
Në Shqipëri, mijëra besimtarë të krishterë festuan sot Pashkën ortodokse, një nga ngjarjet më të rëndësishme të besimit të tyre.
Në katedralen Ringjallja e Krishtit në kryeqytet ceremonialet i drejtoi Kryepeshkopi i Kishës Ortodokse Shqiptare, Anastas Janullatos.
Kryepeshkopi i Kishës Ortodokse Autoqefale të Shqipërisë, Anastas Janullatos, përmendi në mesazhin e tij gjatë meshës së Pashkës në mesnatë para qindra besimtarëve dhimbjet e mëdha që sollën aksidenti hekurudhor në Greqi, tërmeti në Turqi dhe lufta e ashpër në Ukrainë.
Por Pashka, theksoi ai, vjen për të çliruar njerëzit prej hidhërimit, që sjellin sprovat e ndryshme personale e shoqërore.
Dhimbja dhe gëzimi janë bashkudhëtare të jetës së njeriut, thotë kryepeshkopi Anastas në mesazhin e tij, sepse gëzimi i Pashkës buron nga dhimbjet prej tradhëtisë, mohimit, mospërfillja dhe kryqëzimit, por ngjallja e Krishtit vërteton fitoren e së vërtetës ndaj gënjeshtrës, të dashurisë ndaj urrejtjes, ngadhënjimin e jetës mbi vdekjen.
“Në rrugëtimin tonë nuk mungojnë ngjarjet e dhimbshme të paparashikueshme, fatkeqësitë që kapërcejnë forcat tona dhe na vënë poshtë. Ndihemi të pafuqishëm për t’i përballuar dhe shpesh na pushton frika. Megjithatë, vullneti ynë le të mos bjerë në plogështi. Për sa varet nga ne, le të lëmë që drita e Ngjalljes të ndriçojë jetën tonë dhe Shpirti i Shenjtë të na dhurojë qëndresë, durim, shpresë”, theksoi ai.
Në mesazhin e tij kryepeshkopi Anastas tha se Zoti është në të gjitha fazat dhe çastet e vështira të jetës së njeriut dhe se gëzimi paskal shumëfishohet kur njeriu dhuron gëzim aty ku urrejtja është me tepri, aty ku dëshpërimi të merr frymën.
“Gëzimi i Ngjalljes le ta ndriçojë, pra, jetën tonë, duke na çliruar nga hidhërimi dhe mjegulla. Siguria e ngjalljes, fryma ngjallësore, le të jenë mbështetje dhe burim gëzimi çdo ditë në jetën tone”, thotë kryepeshkopi Anastas.
Meshën dhe mesazhet e Pashkës erdhën t’i merrnin mijëra besimtarë ortodoskë bashkë me dritën e shenjtë dhe urimet për njëri tjetrin. Ata përplasën vezët e Pashkës dhe uruan njëri tjetrin në festën e tyre më të rëndësishme.