Lidhje

Rusë dhe bjellorusë të larguar nga vendi i tyre për në Lituani, presin me shqetësim të ardhmen


ILUSTRIM
ILUSTRIM

Qindra mijëra rusë, kundërshtarë të luftës së Putinit në Ukrainë, janë larguar nga Rusia dhe një pjesë e tyre kanë gjetur strehim në vendet baltike. Siç njofton korrespondenti i Zërit të Amerikës Ricardo Marquina nga kryeqyteti lituanez i Vilniusit, në vendet baltike kanë gjetur strehim edhe një numër i madh bjellorusësh, që kanë ikur nga masat shtypëse të presidentit Aleksandër Lukashenko.

Rusë dhe bjellorusë të larguar nga vendi i tyre për në Lituani, presin me shqetësim të ardhmen
please wait

No media source currently available

0:00 0:03:03 0:00

Noize MC është një nga muzikantët bashkëkohorë më të njohur rusë, i cili ka mbajtur qëndrim kundër agresionit të Rusisë në Ukrainë. Muzika e tij, gjithmonë kritike ndaj Kremlinit, e ka detyruar të largohet nga vendi.

Së bashku me familjen, ai gjeti strehim në Lituani. Ata nuk mendojnë se kthimi në vendin e tyre do të jetë i mundur në një të ardhme të afërt, pa një ndryshim rrënjësor të sistemit.

“Fundi i Putinizmit, mund të mos jetë vetë Putini, sepse Putinizmi mund të vazhdojë edhe pas vdekjes së tij. Të gjithë ata njerëz që janë rreth tij për momentin, asnjëri prej tyre nuk është i mirë”, tha ai për Zërin e Amerikës.

Ata që kanë ikur nga Rusia e Putinit janë bashkuar me diasporën bjelloruse në Lituani, të përbërë nga njerëz që kanë ikur nga shtypja e Aleksandër Lukashenkos pas protestave të vitit 2020 në Bjellorusi.

Opozita bjelloruse thotë se në Bjellorusi ka mbi 1400 të burgosur politikë, të cilët janë vendosur pas hekurava nga forcat e Lukashenkos.

Udhëheqësja e opozitës, Svetlana Tikhanovskaya, e cila gjithashtu është vendosur në Vilnius, tha për Zërin e Amerikës se ka frikë se zoti Lukashenko do t'i bashkohet luftës së Rusisë kundër Ukrainës. Sipas saj, kjo është kundër vullnetit të popullit bjellorus.

“Objektivi ynë kryesor është të parandalojmë dislokimin e trupave bjelloruse në Ukrainë. Ushtarët tanë nuk duan të luftojnë kundër ukrainasve. Ne nuk i konsiderojmë ukrainasit si armiqtë tanë”, thotë ajo.

Teatri i Vjetër i Vilniusit ndryshoi emrin e tij pas fillimit të luftës. Dikur ai quhej Teatri Rus i Vilniusit. Aty tani janë vendosur aktorë rusë dhe bjellorusë dhe një qendër e re profesionale që u jep mundësinë të punojnë në gjuhën e tyre. Por ky është gjithashtu një problem, pasi teatri është kritikuar shumë për përdorimin e gjuhës ruse në shfaqjet e tij.

Aktorët rusë dhe bjellorusë e kuptojnë mirë këtë shqetësim.

“Kulturë do të thotë të mos godasësh qytetet me raketa, të mos shkatërrosh, apo të bombardosh teatrot me bomba 500 kilogramëshe. Nëse kjo shkakton tani një reagim të tillë në mesin e njerëzve, unë i kuptoj absolutisht ata”, thotë regjisori rus Andrius Darela.

Pas fillimit të luftës, autoritetet lituaneze ndaluan hyrjen e rusëve me viza turistike të Bashkimit Evropian. Megjithatë, ata i hapën dyert për të gjithë refugjatët politikë, rusë dhe bjellorusë.

“Ky është një vend që mirëpret njerëzit që janë në një situatë të vështirë për shkak të pikëpamjeve të tyre morale dhe politike. Kështu ka qenë, është dhe kështu do të jetë”, thotë kryeministrja e Lituanisë, Indrida Simonyte.

Vilniusi është bërë një strehë për mijëra njerëz që po ikin nga regjimet e Putinit dhe Lukashenkos. Një pyetje e madhe për të gjithë është se për sa kohë ata do të jenë jashtë vendeve të tyre.

XS
SM
MD
LG