Njerëzit prodhojnë më shumë se 53,6 milionë tonë mbetje elektronike çdo vit. Pjesë e problemit janë edhe laptopët, por siç njofton korrespodentja e Zërit të Amerikës Tina Trinh, inxhinerët e kompanisë së teknologjisë Dell po punojnë për një qasje të re, që mund të shmangë hedhjen e tyre në vendet e grumbullimit të mbeturinave.
Trevor Morrison po çmonton laptopin e tij për të treguar se sa shpejt dhe thjeshtë mund të bëhet ky proces.
Dikur për procesin e çmontimit të një laptopi nevojitej një orë, tani duhen vetëm disa minuta.
Zoti Morrison është inxhinier në zyrat qendrore të kompanisë së teknologjisë Dell, në Raund Rok të Teksasit dhe kompjuteri që ai po çmonton është një prototip i emërtuar “Concept Luna”.
Modeli është një përpjekje për zgjidhur problemin botëror të mbetjeve elektronike. Vetëm gjatë vitit 2019 u prodhuan 53 milionë tonë mbetje të tilla.
Një kompjuter tradicional përmban një sërë vidash, kabllosh dhe ngjitësish, duke e bërë të vështirë çmontimin e tyre.
“Nëse pajisja elektronike përmban elementë shumë të vështirë për t’u çmontuar, atëherë nevojitet kohë dhe gjasat janë që për shkak të kësaj vështirësie pajisja të mos riciklohet", thotë Trevor Morrison, inxhinier, kompania e teknologjisë “Dell”
“Concept Luna” nuk ka asnjë problem të tillë. Ka pjesë të ndërlidhura, të ndërrueshme që e bëjnë më të lehtë riparimin dhe riciklimin.
Pjesët e thyera mund të ndërrohen pa zëvendësuar të gjithë kompjuterin.
“Edhe nëse butonat e tastierës prishen, bëhen pis, ose zbardhen pjesa elektronike është në gjendje shumë të mirë dhe mund të ripërdoret. Pra ky është një rast se si mund të ndryshohet vetëm pjesa e jashtme e tij. Këto pjesë mund të ndryshohen dhe kompjuteri të përdoret më gjatë”, thotë zoti Morrison. Kompania Dell thotë se falë mënyrës si është ndërtuar prototipi “Concept Luna”, sasia e dioksidit të karbonit që laptopët lëshojnë në atmosferë mund të ulet me 50%, një gjë e mirë për mjedisin dhe konsumatorët.
“Në vend që të shpenzoni 2 mijë dollarë të tjera për një kompjuter të ri, ekziston mudësia që ta riparoni atë vetë, ose t’ia kërkoni këtë dikujt tjetër, që mund ta çmontojë pa e dëmtuar”, thotë ekspertja Shanika Whitehurst.
Ky lloj modeli është një përpjekje për zgjidhur problemin e mbetjeve elektronike.