Marsi shënon përvjetorin e nëntë të aneksimit të Krimesë nga Rusia. Shumë tatarë të Krimesë u detyruan të largoheshin nga shtëpitë e tyre, pasi forcat ruse pushtuan gadishullin. Mes tyre ishte edhe Ernest Suleimanov dhe familja e tij. Ata ikën në Varshavë, ku hapën një restorant të quajtur "Crimea" pikërisht përballë ambasadës ruse në Poloni. Korrespondentja e Zërit të Amerikës Lesia Bakalets na sjell nga Varshava historinë e tyre.
Çdo mëngjes në familjen e Ernest Suleymanovit fillon me një ritual. Ata marrin tre flamuj: tatarin e Krimesë, atë ukrainas dhe polak dhe i varin në hyrje të restorantit të tyre, pikërisht përballë ambasadës ruse.
“Më gëzon shumë: mund t’i var flamujt para rusëve që ata t’i shohin”, thotë Ernesti.
Restoranti quhet "Krym" që do të thotë "Krime" në gjuhën ukrainase. Përveçse është pronar i restorantit, Ernesti është gazetar dhe aktivist. Ai kishte kërkuar një vend për biznesin e tij për një kohë të gjatë.
"Një miku im më tha se kishte një vend të lirë përballë ambasadës ruse. Ka edhe një qendër shkencore ku ata mësojnë gjuhën ruse. Dhe mendova se do të ishte mirë t'i provokoja kështu."
Në restorant bie era e shijshme e ushqimit të gatuar në shtëpi. Klientëve u shërbehen vetëm me ushqime tradicionale të Krimesë. Më të rëndësishmet janë byrekët e skuqur me mbushje të ndryshme.
“Nuk ka asnjë recetë sekrete – vetëm mish, qepë, piper dhe kripë. Dhe duhet të shtoni pak ujë. Nëna ime i gatuante gjithmonë; është diçka e shpejtë për t'u përgatitur. Pra, kur të vijnë miq, mund të gatuash byrekun ndërsa ata janë duke pirë kafe” thotë Elmira Seit-Akhmetova, pronare e restorantit.
Nëna e Elmirës gjithashtu i mësoi asaj se shtëpia e tyre e vërtetë nuk është Uzbekistani, ku familja u deportua gjatë Luftës së Dytë Botërore, por Krimea.
“Vendi yt është më i miri në botë”.
Ernesti gjithashtu lindi dhe u rrit në Tashkent. Prindërit e tij u dëbuan kur ishin fëmijë.
Të dyja familjet – ajo e Ernestit dhe e Elmirës – mundën ktheheshin në Krime vetëm pasi Ukraina fitoi pavarësinë e saj.
Por në mars 2014, kur Rusia pushtoi Krimenë, çiftit iu desh të largohej sërish.
Qëndrimi në Krime ishte i rrezikshëm për familjen e Ernestit, pasi ai kishte qenë aktivist, i asaj që njihej si “Revolucioni i Dinjitetit”.
“Më kujtohet për herë të fundit isha në sheshin Kuibyshev në Simferopol, duke dhënë një intervistë. Pashë njerëz me maska që më ndiqnin. Arrita të shpëtoja. Në atë kohë, fotot e mia me shenjën "kërkohet" ishin ngjitur në shtylla në të gjithë Simferopolin. Shokët e mi më bindën të largohesha dhe më blenë një biletë treni. Ishin trenat e fundit që u larguan nga Krimeja për në Ukrainë. Nuk kam marrë asgjë me vete”.
Ishte hera e fundit që Ernesti pa Krimenë dhe të afërmit e tij. Fillimisht familja u vendos në Kiev, më pas në Varshavë, kur djali i tyre hyri në universitet.
Për familjen, Polonia ka qenë një shtëpi e dytë për një kohë të gjatë. Ernesti dhe Elmira gjithashtu kanë studiuar dikur këtu.
“Mbi të gjitha, më mungojnë malet e Krimesë dhe aroma e bimëve. Kjo është arsyeja pse ne përgatisim çaj të Krimesë këtu me erëza që blejmë në Greqi - ato janë të njëjta si në Krime. Kur pimë çaj, ndihemi sikur jemi në atdhe”.
Ernesti dhe familja e tij thonë se ëndërrojnë të kthehen një ditë në Krimenë e lirë ukrainase.