Besimtarët e krishterë në Shqipëri festuan sot Pashkët katolike me ceremoni të posaçme pranë objekteve të tye të kultit, një nga ngjarjet më të rëndësishme të fesë së tyre. Udhëheqësit fetarë bënë thirrje për më shumë kujdes e mbështetje ndaj rinisë dhe familjes shqiptare.
Festimet nisën në mesnatë në katedralen e Shën Palit në Tiranë dhe në një mori objektesh të tjera kishtare.
Meshën e Pashkës në Katedralen e Shën Palit e drejtoi Arqipeshkvi Mitropolit, Imzot Arjan Dodaj, i cili uroi besimtarët përmes ceremonive të posaçme.
Në mesazhin e tij për këtë Pashkë, imzot Dodaj, u kërkoi besimtarëve që nën shembullin e Jezusit të çlirohen nga e keqja nëpërmjet çarmatosjes së duarve, të syve dhe zemrave nga çdo paragjykim, urrejtje dhe përçarje dhe veçanërisht nga ideja që t’i përgjigjemi të keqes me të keqe.
Ai theksoi se me urrejtje njerëzit zbrazin zemrat dhe rrezikojnë të zbrazin edhe vendin nga shpresa që kërkon çdo shqiptar.
Imzot Dodaj shtoi në mesazhin e tij se Shqipëria nevojitet të kthehet në sinonim shprese dhe në një mundësi për gjithë të rinjtë dhe familjeve të reja, si dhe për shtresat e mënjanuara, për të mposhtur dimrin demografik, emigrimin dhe uljen e ndjeshme të numrit të të lindurve.
Ai theksoi se të rinjtë duhet të mbështeten në krijimin e familjes, për një shtëpi, për një punë të paguar me dinjitet, dhe për fëmijët e arsimuar me meritë.
Ashtu si paqja nuk vjen kurrë përmes armëve, edhe dialogu nuk vjen kurrë nëpërmjet fyerjes, hakmarrjes, shantazhit apo shtypjes, nënvizoi ai, duke bërë thirrje që e keqja të mos jetohet më si diçka normale, sepse kjo sjell një jetë të izoluar, kriminalitet dhe zhgënjim.
Pas afro gjysmë diktaturë komuniste, kur besimet fetare u ndaluan dhe klerikët u vranë dhe u burgosën masivisht, ndërsa objektet e kultit u shkatërruan, Shqipëria po zhvillon liritë fetare, në mesin e krizave të herëpashershme ekonomike, shoqërore dhe politike gjatë tranzicionit traumatik ndërmjet dy sistemeve të kundërta sa u takon të drejtave njerëzore.