Papa Françesku u kthye në publik mbrëmjen e së të shtunës, duke kryesuar meshën e vigjiljes së Pashkëve në Bazilikën e Shën Pjetrit. Ndërsa të dielën, dhjetëra mijëra besimtarë iu bashkuan Papës në sheshin e Shën Pjetrit për meshën e Pashkëve. Papa Françesku i ka dënuar “erërat e akullta të luftës” dhe padrejtësi të tjera dhe duke i inkurajuar besimtarët që t'i drejtohen Zotit për të kapërcyer ndjenjën e pafuqisë.
Shërbesa mbrëmjen e së shtunës filloi në errësirë. Më pas, pjesa e brendshme e bazilikës u ndriçua, duke reflektuar besimet e krishtera se Jezusi u ngjall dhe se mirësia mund të triumfojë mbi të keqen.
“Ndonjëherë, ne mund të ndihemi të lodhur nga përditshmëria jonë, duke u përballur me rreziqe në një botë të ftohtë dhe të vështirë... Në raste të tjera, ne mund të ndihemi të pafuqishëm përpara fuqisë së të keqes, kancerit të korrupsionit, përhapjes së padrejtësisë, erërave të akullta të luftës”, tha Papa Françesku.
“Megjithatë sot, fuqia e Pashkëve ju thërret të hiqni çdo gur zhgënjimi dhe mosbesimi…Kthehuni tek Perëndia dhe rizbuloni hirin e ringjalljes së Perëndisë brenda teje!”
Gjatë meshës në Bazilikë Papa zakonisht pagëzon të pranishëm nga e gjithë bota. Siç njoftoi Vatikani, të përzgjedhur për t'u pagëzuar në vigjiljen e këtij viti ishin tetë besimtarë, nga Shqipëria, Shtetet e Bashkuara, Nigeria, Italia dhe Venezuela.
Të dielën, Papa Françesku hapi kremtimin e meshës së Pashkëve, para dhjetëra mijëra besimtarëve në sheshin e Shën Pjetrit, të zbukuar nga lulet e pranverës që u transportuan nga Holanda.
Më pas, Papa Françesku shkoi në sheshin e Shën Pjetrit duke iu rikthyer publikut 12 orë pas një ceremonie shumë të gjatë në Bazilikën e Shën Pjetrit një natë më parë.
Besimtarët e krishterë nga e gjithë bota u mblodhën në Kishën e Varrit të Shenjtë në Jerusalem të dielën për të shënuar festën e Pashkëve.
Kisha është vendi i kryqëzimit, varrimit dhe ringjalljes së Jezusit.
Këtë vit, festa përkon me festën hebraike të Pashkës dhe me muajin e shenjtë mysliman të Ramazanit.