Partia kryesore konservatore e Finlandës shpalli fitoren në zgjedhjet parlamentare të së dielës, pas një gare jashtëzakonisht të ngushtë mes tre forcave politike. Sipas rezultateve paraprake, populistët e krahut të djathtë u renditën të dytët, duke lënë Partinë Social Demokratike të kryeministres popullore, Sanna Marin, të tretën. Megjithatë asnjëra nga parti nuk është në gjendje të formojë e vetme qeverinë. Këto zhvillime vijnë ndërsa vendi përgatitet për një hyrje historike në NATO, në ditët në vijim.
Në garën për 200 vendet e parlamentit të Finlandës, morën pjesë mbi 2,400 kandidatë nga 22 parti. Partia e qendrës së djathtë, Koalicioni Kombëtar, arriti të sigurojë 20.8% të votave ndjekur nga populistët e krahut të djathtë me 20,0%, ndërsa socialdemokratët e Sanna Marinit morën 19,9%. Por rezultati dëshmoi se asnjëra nga partitë nuk është në gjendje të formojë e vetme qeverinë. Gjatë një takimi me mbështetësit, Petteri Orpo, kreu i partisë Koalicioni Kombëtar, e cilësoi rezultatin e zgjedhjeve një fitore të madhe.
“Populli finlandez kërkon ndryshim dhe kjo është arsyeja pse tashmë ne jemi partia më e madhe në Finlandë dhe në parlament”, tha ai.
Mbështetësit e tij, mendojnë gjithashtu se kjo ishte një fitore e merituar.
"Jam shumë i lumtur për këtë zhvillim, sepse situata politike ishte vërtet e tensionuar. Ishte e vështirë të parashikoje se çfarë do të ndodhte. Por tani po shohim një qeveri të re që po formohet para syve tanë", thotë Toni Pakarinen, anëtar i partisë, 25 vjeç.
"Ka shumë për të bërë kur bëhet fjalë për ekonominë, por sot është thjesht një ditë fantastike, një ditë fitoreje", thotë Kristina Katajikko, mbështetëse e Koalicionit Kombëtar, 48 vjeç.
Petteri Orpo do të fillojë tashmë negociatat për të formuar një qeveri koalicioni. Ai theksoi se çdo marrëveshje, do të kishte në qendër të saj Bashkimin Evropian, NATO-n si dhe krijimin e vendeve të punës. Edhe pse sulmi i Rusisë ndaj Ukrainës nxiti Finlandën të kërkonte anëtarësimin në NATO në maj të vitit 2022, as vendimi historik për të braktisur politikën neutrale të vendit nordik dhe as lufta, nuk duket të ishin çështjet kryesore të fushatës. Zgjedhjet treguan se votuesit u përqëndruan tek çështjet ekonomike, ndërsa kërkojnë zgjidhje për rritjen e borxhit dhe inflacionit, krahas problemeve të tjera. Finlanda ndan një kufi të gjatë tokësor me Rusinë dhe nesër pritet të bëhet zyrtarisht anëtare e NATO-s. Duke folur për një grup gazetarësh të huaj në zyrat e partisë së tij, zoti Orpo tha se donte që aleatët e NATO-s ta dinin se Finlanda nuk do të jetë vetëm konsumator, por edhe ofrues i sigurisë për aleancën. Ai garantoi gjithashtu mbështetje për Ukrainën.
“Ne qëndrojmë pranë Ukrainës, nuk mund ta pranojmë këtë luftë të tmerrshme. Do të bëjmë gjithçka që nevojitet për ta ndihmuar atë dhe popullin ukrainas, sepse ata luftojnë për ne. Dhe mesazhi im për Putinin është: largohu nga Ukraina, sepse do të humbasësh”.
Rezultatet paraprake tregojnë se nëntë parti kanë arritur të sigurojnë vende në parlament. Pjesëmarrja në votime ishte 71.9%, pak më e ulët se në zgjedhjet e vitit 2019.