Lidhje

Djegie makinash me targa të Kosovës në veriun e banuar me shumicë serbe


Policia e Kosovës tha se tri makina me targa të Kosovës janë djegur gjatë natës në veriun banuar me shumicë serbe.

Makinat, pronë e pjesëtarëve të komunitetit serbë janë djegur në Mitrovicën e Veriut dhe në Zveçan. Një ditë më parë në komunën e Zubin Potokut ishin djegur dy makina me targa të Kosovës.

“Sikurse edhe në rastin e parë, edhe në rastin e dytë, pas pranimit të informacioneve, njësitet policore menjëherë kanë dalë në vendin e ngjarjes duke angazhuar njësitë kompetente policore, përfshirë forenzikën, të cilat kanë ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme hetimore”, thuhet në një njoftim të policisë së Kosovës në të cilin nënvizohet se ajo “do të vazhdojë angazhimin e saj drejt hetimit dhe ndriçimit të rasteve të tilla, si dhe në ofrimin e sigurisë për të gjithë qytetarët pa dallim”.

Nuk ka pasur të arrestuar për djegien e makinave, ndonëse raste të tilla ka pasur edhe gjatë vitit të kaluar mes tensioneve në veriun e Kosovës lidhur me përdorimin e targave të makinave.

Beogradi dhe përfaqësuesit e serbëve në komunat veriore të Kosovës nuk u pajtuan me vendimin e qeverisë së Kosovës që të gjitha makinat me targa të lëshuara nga Serbia të ri regjistrohen dhe të marrin targa me shenjën RKS.

Me 23 nëntor shefi i Politikës së Jashtme të Bashkimit Evropian, Josep Borrell tha se u arrit pajtimi që “Serbia të ndërpresë lëshimin e targave me emërtimet e qyteteve të Kosovës dhe Kosova të ndërpresë veprimet e mëtejshme në lidhje me ri regjistrimin e makinave”.

Bashkimi Evropian tha se sipas pajtimit të arritur ne Bruksel, se Kosova duhet të përmbahet nga çfarëdo veprimi ndaj atyre pronarëve që kanë targat KM dhe “të mbajë status quo-në derisa të mos arrihet një zgjidhje më e qëndrueshme në dialog. Kjo, po ashtu, do të thotë që Serbia të mos lëshojë targa të reja me shkurtesën KM”.

Shefi i zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë, Tomas Szunyog, dënoi djegien e makinave duke bërë thirrje për vënien e autorëve para drejtësisë.

“E dënoj ashpër djegien e makinave të ri-regjistruara së fundmi në targa të Kosovës në veri. Shkatërrimi i pronës private, që ka ndodhur gjatë 2 ditëve të fundit, me qëllim të frikësimit të popullatës lokale është i mjerueshëm, i papranueshëm dhe duhet dënuar nga të gjithë”, shkroi ai.

Kosova dhe Serbia pritet të takohen gjatë muajit prill në Bruksel në nivel kryenegociatorësh e më pas edhe të udhëheqësve politik për të diskutuar zbatimin e marrëveshjes për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet të dyja vendeve.

Më 18 mars në Ohër, udhëheqësit e të dyja vendeve u pajtuan të zbatojnë një plan të mbështetur nga perëndimi për normalizimin e marrëdhënieve, që është kusht për përmbushjen e aspiratave të tyre për anëtarësim në Bashkimin Evropian.

Plani evropian për të cilin palët u pajtuan më 27 shkurt në Bruksel kërkon marrëdhënie të mira fqinjësore, njohje të dokumenteve dhe simboleve dhe respektim të sovranitetit dhe tërësisë tokësore të njëra tjetrës. Ai kërkon që palët të mos pengojnë njëra tjetrën në proceset integruese, por nuk kërkon njohje të ndërsjellë. Plani parasheh edhe përmbushjen e të gjitha marrëveshjeve të arritura më parë në bisedimet e ndërmjetësuara nga Bashkimi Evropian, përfshirë atë për Asociacionin e komunave me shumicë serbe në Kosovë.

XS
SM
MD
LG