Një organizatë që trajnon të rinjtë për punë që lidhen me mbrojtjen dhe ruajtjen e mjedisit po riciklon pemët e thara duke i zëvendësuar ato me të reja. Gjatë procesit u bë e mundur ruajtja e një pjese të mirë të lëndës drusore. Korrespondenti i Zërit të Amerikës, Mike O'Sullivan raporton nga qyteti Long Beach i Kalifornisë.
Lëvizje të ndryshme në mbarë Shtetet e Bashkuara mirëmbajnë pyjet urbane, që thithin dioksidin e karbonit i cili përkeqëson ngrohjen globale. Këto lëvizje gjithashtu ofrojnë trajnim dhe punësim për të rinjtë.
Ky grup, Korpusi për Mbrojtjen e Mjedisit në Long Beach në Kaliforninë jugore po bashkëpunon me një kompani që kujdeset për pemët për zëvendësimin e 1000 pemëve që janë tharë me 2000 të reja, si dhe për vjeljen e tyre.
Këta të rinj të moshës 18-26 vjeç trajnohen mbi mjedisin urban si dhe fitojnë aftësi të tjera.
“I mësojmë se si të inventarizojnë dhe kategorizojnë drurin, si të përdorin sharrën për prerjen e trungjeve dhe të krijojnë aftësi të tjera që në fund të kuptojnë nëse e duan këtë si punë apo do të ndjekin një karrierë tjetër”, thotë David Sall me Korpusin e Ruajtjes së Mjedisit.
Në fazën tjetër të projektit një pjesë e drurit do të përpunohet dhe do të përdoret për mobilje..
“Pas prerjes, vjen procesi i tharjes së drurit, që mund të marrë disa javë ose disa muaj kohë. Pasi të jetë kryer dhe tharja, anëtarët e korupsit do ta përpunojnë për të prodhuar mobilje apo produkte të tjera artizanale që do të shiten”.
Projekti financohet nga një fond prej 1 milion dollarësh nga Agjencia e Burimeve Natyrore të Kalifornisë, e quajtur CAL FIRE. Felipe Carreon po trajnohet prej një viti.
“Kam mbjellë apo krasitur pemë, kam bërë punime të restaurimit urban”.
Ai thotë se i pëlqen të punojë në terren. Tani po mëson për biznesin e lëndës drusore dhe përdorimin e pajisjeve të rënda.
Duhet stërvitje dhe kujdes, thotë Jason Rose, i cili ka njohuri dhe përvojë të gjatë në përdorimin e sharrave.
"Cdo gjë është e mprehtë, e rëndë, ndaj duhet të jesh i vetëdijshëm se me çfarë ke të bësh, të tregosh kujdes kur të bien gjërat, ndoshta në këmbë, sepse mund të të thyen gishtat", thotë Jason Rose me Korpusin e Ruajtjes së Mjedisit.
Por për të rinjtë që po trajnohen, zotërimi i këtyre aftësive është i mundur, pasi përmirësojnë qytetin dhe mjedisin natyror, dhe ndoshta hapin derën për një karrierë të re.