Kostoja e instalimit të paneleve diellore u dyfishua në vitin 2022 krahasuar me vitin 2021 në Britani. Pronarët e shtëpive po kalojnë tek përdorimi i energjisë së ripërtëritshme me një ritëm më të shpejtë, duke u përpjekur të shmangin pasojat e krizës energjetike që shkaktuan rritjen me 67 për qind të çmimit të energjisë gjatë vitit të kaluar.
Në një qytet në veri të Londrës, shumicën e kohës moti ka qenë me re gjatë muajve të dimrit.
Por kjo nuk e pengoi banorin e qytetit Luton, Kumi Thiruchelvam, të instalonte panele diellore në dhjetor. Kostoja e instalimit të tyre është midis 14 dhe 15 mijë dollarëve, duke i marrë atij një pjesë të mirë të kursimeve.
Megjithatë për të investimi ishte i arsyeshëm për shkak të rritjes së çmimeve të energjisë të shkaktuar nga agresioni rus në Ukrainë.
Sipas Zyrës Kombëtare të Statistikave, çmimet e energjisë elektrike në Britani u rritën me 67 për qind në janar të vitit 2023 krahasuar me janarin e vitit 2022.
Kostoja e instalimit të paneleve diellore u dyfishua në vitin 2022 krahasuar me vitin 2021, sipas organizatës MCS, e cila është përgjegjëse për standardet e instalimit të paneleve diellore.
"Kemi pasur një kombinim të rritjes së çmimeve të energjisë në mbarë botën me rritjen e konsumit të energjisë elektrike në shtëpi për një sërë arsyesh, duke përfshirë makinat elektrike", thotë zoti Thiruchelvam.
Familja e tij ka një shtëpi të madhe dhe tre makina elektrike, kështu që konsumi i tyre i energjisë elektrike është më i lartë se familjet normale, rreth 12 mijë kWh në vit.
Rreth dy të tretat e energjisë së konsumuar tani do të sigurohen nga panelet diellore.
Vetëm në janar, ka patur rreth 15 mijë instalime shtëpiake të paneleve diellore në Britani, më shumë se në çdo muaj tjetër që nga viti 2016.
Tom Faulkner, kreu i pasurive, infrastrukturës dhe rrjeteve në kompaninë “Cornwall Insight”, thotë se tregu i energjisë diellore ka ndryshuar rrënjësisht gjatë viteve të fundit dhe rritja e kostos së energjisë elektrike po nxit ritmin e instalimit të paneleve fotovoltaike.
"Zakonisht konsumatorët përfitojnë nga normat e eksportit në rrjetin e energjisë elektrike të vendit. Tani, shumë nga ato kursime vijnë nga kostot e shmangura, sepse kostoja e energjisë elektrike është kaq e lartë. Ndërkohë që ekzistojnë skema për t'i mbrojtur njerëzit nga kostot aktuale, 3000 dollarë në vit për një familje mesatare janë ende një kosto shumë e lartë krahasuar me mesataret historike", thotë zoti Faulkner.
Në shtëpinë e zotit Thiruchelvam, kaldaja funksionon me gaz.
Falë një mjeti devijues, teprica e energjisë elektrike e prodhuar nga panelet diellore përdoret për të ngrohur ujin, një mënyrë tjetër për të zbutur pasojat e krizës energjetike. Por, shitja e energjisë shtesë, megjithëse e kufizuar, nuk është përparësi e madhe për të.
Ofgem, rregullatori energjetik i Britanisë, e uli çmimin minimal të eksportit në zero paund në vitin 2019, duke lejuar kompanitë e energjisë të blejnë energji elektrike me çmime shumë të ulëta nga pronarët e paneleve diellore.
Çmimet e përpiluara nga kompania “Solar Energy UK” në janar tregojnë se çmimi më i lartë për eksportin e energjisë elektrike është 0,18 dollarë për kWh, ndërsa blerja e energjisë elektrike nga rrjeti energjetik i vendit kushton tre herë më shumë.