Avokati i ish-presidentit Donald Trump, Evan Corcoran, dëshmoi të premten përpara një jurie të madhe federale që po heton çështjen e mbajtjes së dokumenteve sekrete nga zoti Trump pas largimit të tij nga Shtëpia e Bardhë në janar të vitit 2021.
Zoti Corcoran dhe avokati i tij Michael Levy hynë në gjykatën federale në Uashington dhe shkuan në katin e tretë, ku zakonisht mblidhet juria e madhe.
Prokurori i posaçëm Jack Smith po udhëheq hetimin e Departamentit të Drejtësisë mbi çështjen nëse ish-presidenti Trump mori në mënyrë të paligjshme dokumente të klasifikuara pas mbarimit të mandatit dhe përpjekjet e tij për të përmbysur rezultatin e zgjedhjeve të vitit 2020, të cilat ai pretendon në mënyrë të rreme se ishin manipuluar.
Ky është ne mesin e disa hetimeve, duke përfshirë atë në Xhorxhia mbi përpjekjen për të përmbysur rezultatin e zgjedhjeve presidenciale në atë shtet dhe një hetim në Nju Jork mbi pagesën ndaj aktores së filmave pornokrafike, Stormy Daniels në këmbim të heshtjes së saj, me të cilat po përballet zoti Trump ndërsa ai po bënë fushatë për të marrë emërimin e partisë republikane për zgjedhjet presidenciale të vitit 2024.
Dëshmia e zotit Corcoran vjen vetëm dy ditë pasi Gjykata Federale e Apelit në Uashington lëshoi një vendim të mbyllur, i cili njoftohet se e detyronte atë të pajtohej me një urdhër të gjykatës më të ulët për të dëshmuar dhe për të dorëzuar të dhëna për hetimim e prokurorit të posaçëm, Jack Smith.
Mediat amerikane, përfshirë kanalin ABC News, raportuan më parë se zyra e prokurorit Smith kishte kërkuar nga gjykata që të detyronte avokatin Corcoran të dëshmonte, duke cituar prova që tregonin se zoti Trump i mashtronte qëllimisht avokatët e tij në lidhje me mbajtjen e dokumenteve sekrete në shtëpinë e tij në Florida.
Avokati Corcoran u përpoq të bllokonte zbatimin e thirrjes për të dëshmuar, duke përmendur privilegjin e mbrojtur me ligj të komunkimit mes avokatit dhe klientit.
ABC raportoi se një gjykatës federal vendosi se ekipi i zotit Smith kishte dhënë mjaftueshëm prova se zoti Trump mund të kishte mashtruar avokatët e tij duke kryer një krim si dhe përcaktoi se privilegji avokat-klient nuk mund të përdoret për të mbrojtur zotin Corcoran, nga detyrimi për të respektuar fletëthirrjen e jurisë së madhe.
Zoti Corcoran dhe Christina Bobb, një tjetër avokate që përfaqëson zotin Trump, ishin të dy të përfshirë në bisedime me Departamentin e Drejtësisë vitin e kaluar përpara se FBI-ja të kryete kontroll në rezidencën e zotit Trump në Florida me 8 gusht.
Në maj të vitit 2022, zoti Trump mori një fletëthirrje nga juria e madhe që e urdhëronte atë të dorëzonte çdo dokument që mbante shënimin si i klasifikuar dhe zyrtarë nga Departamenti i Drejtësisë dhe FBI-së ishin takuar me avokatët e zotit Trump në qershor për të garantuar zbatimin e fletëthirrjes.
Në takimin e qershorit, ata dorëzuan një zarf të vetëm me 38 dokumente të shënuara si të klasifikuara.
Në një vërtetim, të hartuar nga zoti Corcoran dhe të nënshkruar nga zonja Bobb, ata shpreheshin se kishin kontrolluar tërësisht ambientet dhe se nuk kishin gjetur dokumente të tjera sekrete.
Ky pretendim më vonë rezultoi të ishte i rremë, pasi gjatë kontrollit të kryer më gusht, FBI-ja zbuloi rreth 100 dokumente të tjera të klasifikuara mes rreth 13 mijë faqeve dokumente qeveritare.