Lidhje

Dyshimet se lidhen me Ahmetajn, SPAK vë në sekuestro dy vila në bregdet


Arben Ahmetaj, ish zëvendës kryeministër
Arben Ahmetaj, ish zëvendës kryeministër

Në Shqipëri, Prokuroria e Posaçme kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit ka vendosur në sekuestro preventive dy vila në bregdet, pas dyshimeve se ato kanë lidhje me ish zëvendës kryeministrin Arben Ahmetaj. Për njërën vilë, e cila ndodhet në zonën e Palasës, prokuroria dyshon se i përket ish bashkëshortes së zoti Ahmetaj, ndërsa tjetra në zonën e Hamallajt është në pronësi të bashkëjetueses së tij. Ish zëvendëskryeministri është nën hetim për të paktën 4 vepra penale

Dyshimet se lidhen me Ahmetajn, SPAK vë në sekuestro dy vila në bregdet
please wait

No media source currently available

0:00 0:01:56 0:00

Hetimet e Prokurorisë së Posaçme ndaj zotit Arben Ahmetaj, politikani më jetëgjatë në kabinetet e kryeministrit Edi Rama që prej vitit 2013, janë intensifikuar ndjeshëm javët e fundit. Afro 15 ditë më parë, hetuesit e Byrosë Kombëtare të Hetimit (BKH) ushtruan kontrolle në banesat e ish bashkëshortes të zotit Ahmetaj, si dhe në një vilë të bashkëjetueses së tij. Ish zëvendës kryeministri, ka bërë ankimim në Gykatën e Posaçme të Apelit duke pretenduar se vendimi për kontrollin e banesës në Hamallaj, është marrë në shkelje të ligjit, e po ashtu është realizuar në shkeljeve të procedurave.

Pikërisht kjo vilë është vënë tanimë nën sekuestro preventive. Disa dokumenta të publikuara kanë hedhur dyshime se vila ka qenë porositur nga Klodian Zoto, në kërkim për çështjen e inceneratorëve. Por zoti Ahmetaj ka deklaruar se bashkëjetuesja e tij e ka blerë atë nga një person tjetër, dhe se pagesa është bërë në rrugë bankare.

Emri i Zotos u shfaq dhe në një kallzim të bërë nga gazetari Adriatik Doçi, sipas të ciit sipërmarrësi kishte paguar qëndrimet e zotit Ahmetaj në hotele të shtrenjta në disa qytete të ndryshme europiane. Ish zëvendës kryeministri i ka cilësuar si sajesa dhe të paqena këto akuza. Ai ka mohuar të ketë patur lidhje me Zoton, ndërsa ka pranuar njohjen me Mirel Mërtirin, i konsideruar nga Prokuroria e Posaçme si truri i aferës së inceneratorëve.

Përveç vilës në Hamallaj, nën sekuestro është vënë dhe një tjetër vilë në bregdet në zonën e Palasës. Ndonëse ajo rezulton të jetë në pronësi të shoqes së ish bashkëshortes së Ahmetajt, prokuroria dyshon se në fakt, kjo e fundit është poseduesja reale.

SPAK po heton zotin Ahmetaj në dyshimet për të paktën 4 vepra penale, nga mos deklarimi apo fshehja e deklarim i rremë i pasurive, te korrupsioni pasiv i funksionarëve të lartë, pastrimi i parave dhe shpërdorimi i detyrës. Kjo e fundit lidhet me hetimet në rastin e inceneratorëve, për të cilën ish zëvendëskryeministri ka këmbëngulur se nuk është i përfshirë në asnjë lloj mënyre apo rrethane.

XS
SM
MD
LG