Lidhje

Frikë rreth sigurisë së ndërtesave në Stamboll pas tërmeteve


Stambolli
Stambolli

Stambolli, qyteti më i madh i Evropës, nuk u prek nga tërmetet e forta të shkurtit në Turqi, por kryebashkiaku i qytetit paralajmëron se cilësia e dobët e ndërtimit mund të sjellë fatkeqësi në të ardhmen.

Frikë rreth sigurisë së ndërtesave në Stamboll pas tërmeteve
please wait

No media source currently available

0:00 0:02:59 0:00

Tërmetet e shkurtit shkatërruan mijëra ndërtesa banimi në Turqi. Shumë njerëz kanë fajësuar cilësinë e dobët të ndërtimit për këtë.

Stambolli është qyteti më i populluar i Evropës. Ai ka më shumë se 15 milionë banorë dhe goditet shpesh nga tërmetet. Kryebashkiaku i qytetit, Ekrem Imamoglu, paralajmëron se qyteti përballet me një kërcënim të paprecedentë.

“Nuk e dimë se kur do të godasë tërmeti tjetër. Të lejosh njerëzit tanë të jetojnë në ndërtesa, që mund të kërcënojnë jetën e tyre është, Zoti na ruajt, sikur t'i lëmë me vetëdije të vdesin”, thotë ai.

Në një faqe interneti të bashkisë banorët mund të bëjnë kërkesa për inspektimin e banesave të tyre.

Disa ndërtesa pritet të shemben për shkak të standardit të ulët të ndërtimit të tyre, ndërsa të tjerat janë duke u përforcuar me ndihmën e granteve dhe kredive me interesa të ulëta. Por shumë njerëz thonë se nuk kanë mundësi të paguajnë. Ata tani janë të shqetësuar mbi sigurinë e familjeve të tyre.

“Apartamenti i familjes sime është një ndërtesë pesëkatëshe mjaft e vjetër. Familja e vëllait tim jeton atje. Ata janë të tmerruar dhe ngushëllimi i tyre i vetëm është se jetojnë në katin e fundit dhe nëse ndërtesa shembet, ata shpresojnë se mund të mbijetojnë”, thotë Sabiha Kuskun, banore e Stambollit.

Stambolli është qendra e bumit dhjetëvjeçar të industrisë së ndërtimit në Turqi. Ekspertët thonë se ashtu si kompanitë e ndërtimit në rajonin e goditur nga tërmeti, edhe ato që veprojnë në këtë qytet përfituan nga amnistitë e qeverisë që i lejuan ndërtuesit të paguanin një gjobë për legalizimin e banesave që nuk plotësonin rregullat e rrepta të ndërtimit për tërmetet.

“Ne ndoshta do të shohim të njëjtën gjë këtu në Stamboll, kështu që bëhet fjalë për një rrezik të madh. Amnistia, e lejuar në shumë zona ndërtimi, ka shkaktuar një problem të madh. Është një nga themelet e problemit më të gjerë”, thotë arktitekti Omer Yilmaz.

Shumë sipërmarrës ndërtimi u arrestuan për shkak të pasojave të tërmeteve të shkurtit.

Por bumi i ndërtimit në Turqi ka nxitur rritjen e paprecedentë ekonomike të vendit, duke mbështetur presidentin turk Rexhep Tajip Erdogan dhe vitet e suksesit elektoral të Partisë së tij AKP.

“Pavarësisht ligjeve dhe rregulloreve, është politikë e padeklaruar e kësaj qeverie, që të përdorë çdo centimetër katror toke për të ndërtuar shtëpi banimi, ose për të zgjeruar qendra komerciale, si dhe për të kënaqur kërkesat e një grupi gjithnjë në rritje sipërmarrësish dhe kompanish ndërtimi, të cilët financojnë fushatat zgjedhore të AKP-së dhe Erdoganit”, thotë analisti Atilla Yesilada.

Ballafaqimi me kërcënimin e ndërtesave të pasigurta është tani një përparësi, me kryebashkiakun e Stambollit që paralajmëroi se 90 mijë ndërtesa janë në rrezik të madh nga tërmetet.

XS
SM
MD
LG