Lidhje

Shtetet e Bashkuara përshpejtojnë dërgimin e tankeve Abrams në Ukrainë


Pentagoni po përshpejton dërgimin e tankeve Abrams në Ukrainë, duke zgjedhur të dërgojë një model të vjetër të rinovuar, që mund të jetë gati më shpejt.

Zyrtarët amerikanë i thanë Agjencisë së lajmeve Associated Press se synohet që tanket gjigande me peshë gati 70 tonë të dërgohen në zonat e luftës brenda 8 ose 10 muajve.

Plani fillestar ishte që në Ukrainë të dërgoheshin 31 tanke Abrams të modelit të ri M1A2, por për prodhimin tyre dhe transportimin me anije, do duheshin 1 deri në dy vjet. Por zyrtarët vendosën të dërgojnë modelin e vjetër M1A1, që është gjendje në rezervat e armatimit të ushtrisë për kohë lufte dhe mund të dërgohet në Ukrainë para fundit të këtij viti.

Sipas zyrtarëve, forcat ukrainase do ta kenë më të lehtë të mësojnë përdorimin dhe mirëmbajtjen e modelit M1A1, ndërsa ata përballen me trupat ruse.

Administrata e Presidentit Biden njoftoi në muajin janar dërgimin e tankeve në Ukrainë, pasi kishte këmbëngulur më parë se trupat ukrainase e kishin të vështirë mirëmbajtjen dhe riparimin e tankeve amerikane.

Vendimi ishte pjesë e një lëvizjeje më të gjerë politike, që i hapi rrugën Gjermanisë të njoftonte dërgimin e tankeve Leopard 2 në Ukrainë, si edhe Polonisë dhe vendeve të tjera aleate të bënin të njëjtën gjë.

Është e paqartë se kur Shtetet e Bashkuara, do të nisin të trajnojnë forcat ukrainase, se si të përdorin, mirëmbajnë dhe riparojnë tanket.

Po ashtu, Pentagoni duhet të sigurohet se forcat ukrainase do të kenë zinxhirin e duhur të furnizimit me pjesë këmbimi për funksionimin e tankeve.

Nuk pritet që tanket të mbërrijnë deri në pranverë, periudhë kur mendohet që Rusia dhe Ukraina të intensifikojnë ofensivat. Të dyja palët nuk kanë bërë përparime për një kohë të gjatë, duke fituar apo humbur kontroll mbi territore të ngushta, përgjatë dimrit.

Betejat më të ashpra po kryhen në rajonin lindor të Donsekut, ku Rusia po përpiqet të rrethojë qytetin e Bakhmutit, por po përballet me rezistencën e forcave ukrainase. Guvernatori i qytetit, Petro Kyrylenko tha për mediat ukrainase se një civil u vra dhe një tjetër u plagos, një ditë më parë, si pasojë e bombardimeve ruse.

Gjatë një vizite në uzinën e prodhimit të tankeve në shtetin e Ohajos, në muajin shkurt, Sekretarja e Ushtrisë Christine Wormuth u takua me drejtuesit e uzinës për të diskutuar rreth alternativave më të mira për dërgimin e tankeve në Ukrainë.

“Mes të tjerash, qëllimi i kësaj vizite është të kuptojmë cila është alternativa më e mirë që na jep mundësi të marrim në dorëzim, sa më parë, tanket që do të dërgohen në Ukrainë, pa ndërprerë shitjet e prodhimeve ushtarake jashtë vendit”, tha zonja Wormuth.

Drejtuesit e uzinës, që është në pronësi të Forcave të Armatosura, por nën administrimin e kompanisë General Dynamics, me bazë në Reston, të Virxhinias, thane se prodhimi i tankeve varion, sipas kërkesave kontraktuale. Aktualisht, fabrika prodhon 15-20 mjete të blinduara në muaj, përfshirë tanke, por lehtësisht mund prodhojnë 33 të tillë apo të shtojë personelin dhe të prodhojë edhe më shumë, nëse është e nevojshme.

Puna për prodhimin e tankeve për Ukrainën duhet të ndodhë paralelisht me punën për prodhimin e tankeve për shitje jashtë vendit, sipas kontratave akutale, përshirë 250 tanke për Poloninë dhe 75 për Australinë.

Udhëheqësit ukrainas kanë këmbëngulur vazhdimisht për marrjen e tankeve Abrams, që u përdorën për herë të parë në luftë në vitin 1991.

Tanku është i pajisur me një top 120 milimetërsh, për të shkatërruar tanket e armikut dhe automjetet e tjera të rënda të blinduara. Me një motor prej 1 mijë e 500 kuaj-fuqi, tanku amerikan Abrams konsiderohet gjerësisht si tanku me teknologjinë më të përparuar në përdorim. Mund të lëvizë me një shpejtësi prej rreth 68 kilometrash në orë.

XS
SM
MD
LG