Lidhje

Republikanët sulmojnë prokurorin e Nju Jorkut që po heton ish-Presidentin Trump


Prokurori i distriktit të Manhatanit, Alvin Bragg, gjatë një konference për shtyp
Prokurori i distriktit të Manhatanit, Alvin Bragg, gjatë një konference për shtyp

Ligjvënësit republikanë sulmuan të hënën prokurorin e Nju Jorkut, të zgjedhur nga radhët e demokratëve, që po heton ish-Presidentin Donald Trump në lidhje me akuzat për një pagesë prej 130 mijë dollarësh për të siguruar heshtjen e një aktoreje të filmave pornografikë, përpara mbajtjes së zgjedhjeve të vitit 2016.

Kryetarët e tre komisioneve të Dhomës së Përfaqësuesve akuzuan prokurorin e distriktit të Manhatanit për shkelje të rregullave hetimore dhe kërkuan që ai t’u ofrojë informacion dhe dokumenta në lidhje me hetimet e tij për ish-Presidentin Trump.

Ish-presidenti tha gjatë fundjavës se ai pret të arrestohet gjatë procesit gjyqësor për këtë çështje të martën, megjithëse prokurori nuk ka bërë asnjë njoftim publik për të sinjalizuar nëse do të ngrihen akuza apo jo ndaj ish-Presidentit Trump. Zoti Trump bëri thirrje për protesta në rast se ngrihen akuza, dhe zyrtarët e Nju Jorkut janë koordinuar me agjencitë federale të sigurisë për të përballuar ndonjë trazirë të mundshme pranë gjykatës në Nju Jork.

Ish-Presidenti Trump do të bëhej në këtë rast i pari ish-president i Shteteve të Bashkuara ndaj të cilit ngrihet një akuzë penale.

Ai përballet gjithashtu me hetime të gjera nga prokurori i posaçëm i Departamentit të Drejtësisë, si dhe nga një prokuror shtetëror në Xhorxhia, për rolin e tij në përpjekjet për të qëndruar në pushtet nëpërmjet përmbysjes së humbjes në zgjedhjet e vitit 2020 përballë demokratit Joe Biden.

Prokurori i posaçëm i Departamentit të Drejtësisë, Jack Smith po heton edhe rolin e ish-Presidentit Trump në nxitjen e sulmit të 6 janarit 2021 ndaj Kapitolit të Shteteve të Bashkuara, ndërsa ligjvënësit ishin mbledhur për të çertifikuar fitoren e zotit Biden, si dhe të rrethanave se si ish-Presidenti Trump mbajti dokumenta të klasifikuara në pronën e tij në Florida pas largimit nga detyra, në vend që t’i dorëzonte ato në Arkivat Kombëtare, siç e parashikon ligji.

Prokurori i posaçëm Jack Smith
Prokurori i posaçëm Jack Smith

Hetimi i Nju Jorkut bazohet tek 130 mijë dollarë të paguar për aktoren e filmave pornografikë Stormy Daniels nga ish-avokati i ish-presidentit, Michael Cohen, për të garantuar heshtjen e saj përpara zgjedhjeve të vitit 2016, për një marrëdhënie të shkurtër seksuale që ajo pretendon se ka patur me zotin Trump, një aludim që ai e ka mohuar prej kohësh. Zoti Cohen ka thënë se ish-Presidenti Trump e miratoi pagesën dhe pastaj e rimbursoi atë, duke thënë se ishte për shpenzime ligjore.

“Duket se jeni pranë përfshirjes në një abuzim të paprecedent të autoritetit hetimor: ngritje akuzash ndaj një ish-presidenti të Shteteve të Bashkuara”, shprehen në një letër dërguar prokurorit Bragg kryetarët republikanë të tre komisioneve të Dhomës së Përfaqësuesve.

“Këto akuza vijnë pas vitesh kërkimesh nga zyra juaj për një bazë ligjore – çfarëdolloj baze – mbi të cilën të ngrinit akuza”, shtuan ata.

Letra u nënshkrua nga Kryetari i Komisionit të Ligjeve Jim Jordan, Kryetari i Komisionit për Mbikqyrjen James Comer, dhe Kryetari i Komisionit për Administratën Bryan Steil.

Kryetari i Komisionit të Ligjeve, Ligjvënësi republikan Jim Jordan duke folur gjatë një konference për shtyp në Kapitol
Kryetari i Komisionit të Ligjeve, Ligjvënësi republikan Jim Jordan duke folur gjatë një konference për shtyp në Kapitol

Demokratët i kundërshtuan kritikat për hetimin ndaj ish-Presidentit Trump. Ligjvënësi Daniel Goldman u shpreh në Twitter se “mbrojtja e Trump-it nuk është një objektiv legjitim për Kongresin, (apo) hetimi i një prokurori të disktriktit të një shteti”.

“Kongresi nuk ka asnjë juridiksion për të hetuar prokurorin e Manhatanit, i cili nuk merr fonde federale, dhe as nuk ka ndonjë lidhje tjetër federale”, tha Ligjvënësi Goldman, i cili drejtoi procesin e ngritjes së akuzave në Dhomën e Përfaqësuesve në vitin 2019 për shkarkimin e ish-Presidentit Trump.

Ish-Presidenti Trump njoftoi disa muaj më parë synimin për të marrë pjesë në garën për të fituar nominimin e Partisë Republikane për të kandiduar për president në vitin 2024, dhe ka thënë se do ta vazhdojë fushatën edhe në rast se ndaj tij ngrihen akuza penale. Anketime të shumta në nivel kombëtar e tregojnë atë si kryesues në garën për marrjen e nominimit të Partisë Republikane, megjithëse disa republikanë të tjerë e kanë shpallur tashmë kandidaturën e tyre, ose kanë thënë se po shqyrtojnë seriozisht mundësinë e konkurimit përballë zotit Trump.

Ndaj ish-Presidentit Trump u ngritën dy herë akuza me qëllim shkarkimin e tij gjatë periudhës që ishte në detyrë, një herë në vitin 2019 për sjelljen e tij duke i kërkuar Ukrainës të hetonte zotin Biden, si dhe sërish në vitin 2021 për sulmin e mbështetësve të tij ndaj Kapitolit të Shteteve të Bashkuara. Ai u shpall i pafajshëm nga Senati të dyja herët.

XS
SM
MD
LG