Ndërsa mbështetja amerikane për Ukrainën është ende e fortë, ka disa çarje midis anëtarëve të partive republikane dhe demokrate që kanë filluar të dalin në sipërfaqe. Siç njofton korrespondentja e Zërit të Amerikës, Veronica Balderas Iglesias, këto çarje mund të thellohen pasi vendime të tjera të rëndësishme politike konkurrojnë me Ukrainën për vëmendje.
Protestuesit kundër luftës demonstruan së fundmi në Uashington. Ata kërkuan zgjidhje paqësore të luftës në Ukrainë dhe zvogëlim të mbështetjes së SHBA-së për Kievin.
“Ne e dimë se njerëzit po dëmtohen nga inflacioni. Njerëzit po vuajnë nga uria si pasojë e ndikimit të luftës tek ekonomia. Megjithatë, miliarda dollarë po derdhen në ekonominë e luftës”, thotë Ben Becker, një nga organizatorët e protestës kundër luftës në kryeqytetin amerikan.
Disa demonstrues kishin shqetësime bërthamore.
“Pavarësisht që shanset për një luftë bërthamore mund të jenë të ulëta, ato momentalisht janë shumë më të larta se sa duhet të jenë”, tha Johni, një protestues tjetër kundër luftës që nuk pranoi të thotë mbiemrin e tij.
Një sondazh i ri i organizatave që hulumtojnë opinionin, Axios-Ipsos tregon se 79% e amerikanëve që identifikohen si demokratë dhe 60% e të pavarurve ende mbështesin dërgimin e armëve dhe parave në Ukrainë. Por vetëm 42% e republikanëve të anketuar e mbështesin të njëjtën gjë.
Guvernatori republikan i Floridës Ron DeSantis e bëri të qartë qëndrimin e tij javën e kaluar në një deklaratë me shkrim të lexuar nga prezantuesi i “Fox News”, Tucker Carlson.
“Ne nuk mund t'i japim përparësi ndërhyrjes në një luftë të huaj që po përshkallëzohet mbi mbrojtjen e atdheut tonë”, tha zoti Carlson duke lexuar qëndrimin e guvernatorit Desantis.
Ish-nënpresidenti Mike Pencee e kritikoi qëndrimin e guvernatorit DeSantis në programin “This Week” të televizionit amerikan, ABC.
“Si udhëheqëse e botës së lirë, Amerika duhet të vazhdojë të sigurojë që ushtria ukrainase të ketë mjetet që i nevojiten”, tha zoti Pence.
Zoti Pence dhe guvernatori DeSantis pritet të jenë pjesë e garës presidenciale të vitit 2024, ndonëse asnjëri nuk e ka shpallur zyrtarisht kandidaturën.
Solidariteti me Kievin është ende i fortë mes publikut amerikan. Megjithatë, disa përçarje midis demokratëve që mbështesin negociatat me Rusinë gjithashtu kanë filluar të dalin në sipërfaqe, vuri në dukje Steffen Schmidt, profesor i shkencave politike në Universitetin Shtetëror të Ajova-s.
“Liberalët dhe progresistët në Partinë Demokratike nuk janë shumë të kënaqur me administratën Biden. Nëse Presidenti vendos të kandidojë për rizgjedhje, gjë që unë mendoj se do ta bëjë, do të ketë presion për të rishqyrtuar dhe rishikuar politikën amerikane në Ukrainë”, tha profesori Schmidt.
Ndarjet midis të dyja palëve mund të thellohen, shtoi ai, pasi lindin vendime të tjera të rëndësishme politike që mund të konkurrojnë me Ukrainën për vëmendje.
“Njëra prej çështjeve është situata bankare, e cila është shumë serioze, dhe aktivitetet kineze në lidhje me Tajvanin dhe Paqësorin, ku Kina ka zgjeruar në mënyrë shumë agresive ndikimin e saj”, tha më tej profesori Schmidt.
Zoti Schmidt pret që debati i madh mbi mbështetjen e SHBA-së për Ukrainën të zhvillohet në fillim të vitit të ardhshëm, ndërsa gara presidenciale e vitit 2024 po ashpërsohet.