Lidhje

Autoritetet e Shqipërisë përshëndesin pajtimin Kosovë-Serbi mbi zbatimin e planit europian


Aleksandar Vucikj, Josep Borell, Albin Kurti, Dialogue Serbia Kosovo
Aleksandar Vucikj, Josep Borell, Albin Kurti, Dialogue Serbia Kosovo

Në Shqipëri autoritetet më të larta të vendit përshëndetën pajtimin e arritur në Ohër, mes Kosovës dhe Serbisë për zbatimin e planit europian, duke falenderuar njëkohësisht Bashkimin europian dhe Shtetet e Bashkuara për angazhimn e tyre të fortë.

Presidenti Bajram Begaj deklaroi se “ky dakordësim është një garanci më shumë për paqen, stabilitetin dhe të ardhmen e rajonit në Bashkimin Evropian”, shkruajti ai në një postim në Facebook duke u shprehur “besimplotë se garantët e këtij dakordësimi do ta bëjnë atë të detyrueshme e të zbatueshme nga palët”.

Nga ana e tij, kryeministri Edi Rama, që pak pas njoftimit të dakortësimit të palëve afër mesnatës së mbrëmshme, reagoi duke shkruar se shpresonte “që djalli të mos fshihet në detaje sonte dhe që marrëveshja e rënë dakord por e pa nënshkruar të mos jetë një tjetër mashtrim ballkanik”. Në rast të kundërt, sipas tij “kjo do të ishte një arritje historike që do të shpallte një pranverë të shumëpritur në marrëdhëniet mes dy kombeve më të mëdha të Ballkanit, shqiptarëve dhe serbëve”.

Postimin e tij në Twitter, kryeministri e mbylli duke uruar “që së shpejti marrëveshja e panënshkruar të kthehet në një realitet të ri të pakthyeshëm mes Kosovës dhe Serbisë, shqiptarëve dhe serbëve, Ballkanit Perëndimor dhe Bashkimit Evropian”.

Për kryetaren e parlamentit shqiptar Lindita Nikolla “normalizimi i marrëdhënieve dypalëshe midis Kosovës dhe Serbisë shënoi një hap të qëndrueshëm përpara, me dakordësimin në takimin e Ohrit për hapat praktikë për zbatimin e marrëveshjes, sipas aneksit të planit evropian”.

Në postimin e saj në Facebook ajo shprehet më tej se “pajtimi me propozimet, zbatimi i këtij plani dhe dialogu mes dy vendeve do t’i kontribuojë prosperitetit e paqes në rajon dhe avancimit të tyre drejt familjes evropiane”.

XS
SM
MD
LG