I dërguari amerikan për Ballkanin Perëndimor Gabriel Escobar, tha të premten se është optimist për rezultate pozitive në takimin e së shtunës në Ohër ndërmjet kryeministrit të Kosovës Albin Kurti dhe presidentit serb Aleksandar Vuçiç.
Ai i bëri këto komente në Prishtinë ku po qëndron në kuadër të përgatitjeve për takimin e Ohrit.
“Pres shumë rezultate pozitive nga Ohri, jam shumë optimist për një zgjidhje paqësore ndërmjet Kosovës dhe Serbisë dhe shpresoj se do të dalim me lajme të mira pas së shtunës”, tha zoti Escobar.
Në takimin e Ohrit palët pritet të diskutojnë rrugët e zbatimit të një plani perëndimor për normalizimin e marrëdhënieve, i cili nuk parasheh njohje të ndërsjellë, por kërkon që palët të respektojnë pavarësinë, sovranitetin dhe tërësinë tokësore të njëra-tjetrës.
“Qëllimi ynë është të mbështesim plotësisht çfarëdo rezultati që e sjell këtë rajon më afër paqes dhe shton mundësitë për Serbinë, Kosovën si dhe për tërë rajonin të për t’u bërë pjesë e komunitetit euroatlantik”, tha zoti Escobar, ndërsa theksoi se “ky propozim evropian, i ofruar në dialogun e ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian, paraqet një mundësi të jashtëzakonshme për të krijuar një marrëdhënie paqësore, të frytshme e të qëndrueshme ndërmjet dy vendeve të rëndësishme në rajon.
“Si mbështetësit më të mëdhenj të Kosovës në botë, ne kemi për qëllim të sigurohemi që kjo funksionon për Kosovën, por jo vetëm për Kosovën por për rajonin si tërësi”, tha ai.
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, tha se një marrëveshje e drejtë, e qëndrueshme dhe gjithëpërfshirëse ku Kosova e Serbia trajtohen si dy shtete të barabarta është e vetmja mënyrë për të siguruar paqe afatgjate dhe qëndrueshmëri në rajon.
“Kosova shkon drejt Ohrit me këtë mendësi, si dhe me shpresën për një rezultat pozitiv. Çdo tendencë nga Serbia për të penguar këtë rezultat nëpërmjet kushtëzimeve, mund ta dëmtoj pastaj tërësisht procesin e dialogut”, tha presidentja Osmani.
Ajo tha se marrëveshja e propozuar përfshin parime të rëndësishme të së drejtës ndërkombëtare dhe marrëdhënieve ndërkombëtare të cilat siç tha, do ta shtrojnë rrugën drejt njohjes së ndërsjellë.
“Pritshmëria ime si presidente e Republikës është se marrëveshja do të sjellë rezultate konkrete, të prekshme për Kosovën. Rrjedhimisht do të sigurojë integrimin e Kosovës në institucionet euroatlantike, do të sigurojë integrimin gjithëpërfshirës të komunitetit serb të Kosovës në institucionet e Republikës, kjo do të rezultojë pastaj me shpërbërjen efektive të menjëhershme të të gjitha strukturave ilegale të Serbisë”, tha presidentja Osmani, ndërsa nënvizoi se “rendi kushtetues i Kosovës, integriteti territorial e sovraniteti i vendit si dhe funksionaliteti i brendshëm i Kosovës, duhet të ruhen me çdo kusht në çdo proces negociator”.
Kryeministri i Kosovës Albin Kurti dhe presidenti i Serbisë Aleksandar Vuçiç, të cilët muajin e kaluar i thanë po një plani të mbështetur nga Shtetet e Bashkuara, do të diskutojnë nesër rrugët dhe ritmin e zbatimit të tij për ta shndërruar atë në një marrëveshje të ndërmjetme për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet të dyja vendeve.
Zoti Escobar i cili qëndroi në Beograd para se të shkonte në Prishtinë tha se do të donte të shihte marrëveshjen gjatë këtij viti kalendarik.
“Mendoj se kjo është plotësisht e mundur”, tha zoti Escobar, të enjten në Beograd prej nga bëri thirrje për zbatimin e të gjitha marrëveshjeve të deritashme përfshirë atë për themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe në Kosovë.
Zoti Escobar tha se domosdoshmërisht do të ketë ndonjë nënshkrim marrëveshjeje në Ohër, por hapje të rrugës përpara.
Kryeministri i Kosovës Albin Kurti ka thënë në disa raste se ishte i gatshëm të nënshkruajë planin evropian, por pala serbe nuk ka treguar gatishmëri për një gjë të tillë.
Të enjten presidenti serb Aleksandar Vuçiç tha se nuk planifikon të nënshkruaj asgjë në takimin e së shtunës në Ohër.
Të dyja vendet aspirojnë anëtarësimin në Bashkimin Evropian por blloku e ka bërë të qartë se kjo mund të ndodhë pas zgjidhjes së mosmarrëveshjeve ndërmjet tyre.