Lidhje

Shqipëri; mozaiku i qëndisur, një protestë kundër pabarazisë gjinore


Mozaiku i thurur me duar nga motrat Mitre
Mozaiku i thurur me duar nga motrat Mitre

Në Shqipëri, një mozaik i qëndisur nga dy motra po tërheq vëmendjen e publikut gjatë ekspozimit në qytete të ndryshme, për formën e veçantë që autoret zgjodhën për të protestuar ndaj pabarazisë gjinore, si dhe punës së papaguar të grave.

Shqipëri; mozaiku i qëndisur, një protestë kundër pabarazisë gjinore
please wait

No media source currently available

0:00 0:04:04 0:00

Dhuna ndaj grave dhe vajzave është një nga shqetësimet kryesore, që nis nga vrasjet e tyre në familje dhe deri tek shkeljet e përditshme të të drejtave njerëzore.

Mozaiku i thurur me duar për disa muaj pa u ndalur plot fije shumëngjyrëshe nga dy motrat Mitre është një ekspozitë shëtitëse, që bart me vete historitë e pabarazisë dhe dhunës së qindra grave e vajzave shqiptare.

Deri tani ai është është ekspozuar në Tiranë, Durrës dhe Pogradec, ndërsa pritet të udhëtojë edhe në qendra të tjera.

Dy motrat Elga dhe Erisa e sollën mozaikun si një nga punët e para të Institutit të sapoçelur për Zhvillim Strategjik, ku gjatë çdo ekspozimi rrëfehen histori njerëzore nga më të ndryshmet prej vizitoreve.

“Ne jemi shumë krenare që e kemi sjellë punën në këtë formë. Është një mozaik me copëza të vogla të punuara me grep, por qëndrojnë shumë bukur të lidhura bashkë. Secila nga këto pjesëza të vogla përfaqëson një histori gruaje. Secila grua që shikon këtë mozaik gjen vetveten aty”, thotë Erisa Proko, bashkautore e veprës dhe drejtuese e Institutit.

Ndërsa motra tjetër, Elga Mitre, thotë se mozaiku i ka fillimet tek familja e saj, ku ajo ka qëndisur qysh në moshë të vogël, për të siguruar mbijetesën.

“Isha e vogël, 13 ose 14 vjeçe, kur nisi tranzicioni i viteve 90 dhe gjithë familjet shqiptare e gjetën veten nga një sistem në një tjetër. Mua më është dashur që të punoj bashkë me mamin tim me grep për të fituar bukën e gojës. Këtë gjë e kemi bërë për disa vite bashkë. Shumë familje shqiptare vazhdojnë edhe sot pas 30 vjetësh këto punime dore për të siguruar disa të holla për ushqime”, thotë Elga.

Realiteti shqiptar përmban shumë vështirësi dhe sfida për gratë dhe vajzat shqiptare, ku shumica pësojnë dhunë sistematike me bazë gjinore edhe kur punojnë në familje edhe kur punojnë në firma të ndryshme vetëm për të rritur fëmijët e tyre.

“Me këtë punim kemi dashur të japim simbolikën e pabarazisë gjinore, dhunës ndaj grave dhe vajzave, punës së papaguar të tyre, si edhe simbolikën e të qenit bashkë, për të fuqizuar njëra tjetrën, pavarësisht se ato janë të ndryshme nga njëra tjetra dhe kanë histori të ndryshme”, thotë Erisa.

Të drejtat e grave shqiptare, shëndeti dhe vet jeta e tyre shkelen dhe rrezikohen në Shqipëri, por kapërcimi i këtyre vështirësive, thotë Elga, nis nga pranimi i gjendjes, denoncimi përherë e më i madh i shkeljeve dhe diskutimi publik mbi rrugëdaljet e përbashkëta.

“Ajo që unë kam vënë re dhe shpesh më vjen keq është se jo të gjithë janë të ndërgjegjshëm për të gjitha format dhe llojet e dhunës. Mendoj se shoqëria shqiptare ka më shumë nevojë për diskutim e debat publik, ndërgjegjësim, edukim për vjzat dhe gratë e reja”, thotë Elga.

Veprimtarët shqiptarë e mbështesin shpesh njëri tjetrin në nismat e tyre. Organizata Qëndresa Qytetare përkrahu menjëherë këtë ide të motrave Mitre si pjesë e re dhe e rëndësishme e përpjekjeve të shumta për të ndihmuar gratë dhe vajzat në përballjen me shkeljet e lirive dhe të drejtave njerëzore, si dhe dhunimin sistematik në familje dhe shoqëri.

“Kemi parë që në të gjitha rastet e krimeve në familje, sa herë kemi jetë të humbura të vajzave dhe grave, ato janë të gjitha krime të paralajmëruara. Nuk janë krime surprizë. Dikush vritet, edhe pse ka marrë urdhër mbrojtje. Dikush tjetër përsërit një krim sapo del nga burgu, ku vuajti dënim për të njëjtin krim. Të gjitha këto ngjarje shprehin dështimin, veç të tjerëve, edhe të sistemit të drejtësisë”, thotë Migen Qiraxhi, përfaqësues i organizatës Qëndresa Qytetare.

Ai shton se është e dhimbshme të shohim sot në vitin 2023 që çdo muaj vriten gra e vajza të pafajshme dhe shumë të tjera dhunohen, edhe pse ato janë pjesa më e mirë dhe më e arsimuar e shoqërisë, ndaj duhet nisur një debat kombëtar mbi arsimin, policinë, ligjet dhe drejtësinë.

“Nëse shohim vazhdimisht që vajzat nuk paguhen në punë dhe gratë vriten për shkaqe banale, kjo tregon se nu kia kemi arritur të ndërtojmë një sistem arsimor që trajton këtë problematikë, nuk kemi arritur të ndërtojmë një sistem mbrojtje në komunitet. Policia e shtetit duhet të vendoset në komunitet, të funksionojë si një polici komunitare që u del përpara situatave dhe u jep ndihmën e duhur dhe shpëton jetët e gjysmës sonë më të mirë”, thotë zoti Qiraxhi.

Studime dhe sondazhe të shoqërisë civile kanë gjetur gratë dhe vajzat shqiptare punojnë në kushte të vështira nëpër firmat e ndryshme, ato janë të nënpaguara dhe pambrojtura nga organizatat sindikale, madje punojnë nën kërcënimin e vazhdueshëm të humbjes së vendit të punës.

Veprimtaret mendojnë se shumë nga këto pasoja shoqëria shqiptare i merr si goditje edhe prej faktit se ka humbur aftësitë e saj reaguese përmes sindikatave, grupimeve profesionale, dhe prindërore për të protesuar në një larmi formash nga veprat e artit e deri tek rritja e besimit dhe mbështetja më e fortë tek njëri tjetri përballë kërcënimeve të përbashkëta.

XS
SM
MD
LG