Lidhje

Njoftime se Rusia nuk po bën përparime në luftimet në Bakhmut


Instituti për Studimin e Luftës me seli në Uashington tha se Rusia nuk po bën përparime në luftimet për marrjen në kontroll të qytetit lindor të Ukrainës, Bakhmut.

Sipas këtij Instituti, forcat ruse dhe njësitë e grupit paraushtarak Wagner të kontrolluar nga Kremlini vazhduan të kryejnë sulme tokësore në qytet, por nuk kishte asnjë provë se ata ishin në gjendje të bënin ndonjë përparim.

Raporti citoi zëdhënësin e Grupit Lindor të Forcave të Armatosura të Ukrainës, Serhii Cherevaty, i cili tha se luftimet në zonën e Bakhmutit kishin qenë më intensive këtë javë, se sa javën e shkuar. Sipas zotit Cherevaty, gjatë 24 orëve të fundit janë shënuar 23 përballje në qytet.

Raporti i Institutit për Studimin e Luftës vjen pas pretendimeve të Rusisë në fillim të kësaj jave, për përparim në luftime.

Ministria e Mbrojtjes e Britanisë së Madhe tha të shtunën se njësitë paraushtarake të Grupit Wagner, i kontrolluar nga Kremlini, kishin marrë pjesën më të madhe të Bakhmutit lindor.

Qyteti minerar i Bakhmutit ndodhet në provincën lindore të Ukrainës, Donetsk, një nga katër rajonet e Ukrainës që Presidenti rus Vladimir Putin aneksoi ilegalisht vitin e kaluar. Ushtria ruse nisi luftimet për të marrë kontrollin e Bakhmutit në gusht dhe të dyja vendet kanë shënuar humbje të mëdha. Presidenti ukrainas Volodymyr Zelenskyy është zotuar të mos tërhiqet.

Ndërkohë, gjatë një interviste për gazetën gjermane “Bild am Sonntag”, të publikuar të dielën Ministri i Mbrojtjes Dmytro Kuleba, tha se Ukraina do të vazhdojë të mbrojë Bakhmutin.

“Çfarë do të ndryshonte nëse tërhiqemi nga Ukraina? Rusia do të merrte kontrollin e Bakhmutit dhe do të vazhdonte sulmin në Chasiv Yard dhe çdo qytet pas Bakhmutit do të kishte të njëjtin fat”, tha Ministri Kuleba.

I pyetur se sa kohë mund të rezistonin forcat ukrainase në qytet, ai refuzoi të jepte një përgjigje konkrete.

Po ashtu, në intervistë ai i bëri thirrje Gjermanisë që të shpejtonte me dërgimin e armatimeve në Ukrainë dhe të niste trajnimi e pilotëve ukrainës për përdorimin e avionëve luftarakë perëndimorë.

XS
SM
MD
LG