Lidhje

BE-ja me një hap thelbësor drejt liberalizimit të vizave për Kosovën


Ministrat e Brendshëm të vendeve anëtare të Bashkimit Evropian miratuan të enjten vendimin për liberalizimin e vizave për qytetarët e Kosovës.

Në takimin e Këshillit të Punëve të Brendshme në Bruksel, 27 ministrat e miratuan këtë vendim pa ndonjë diskutim, pas pajtimit të arritur më herët nga përfaqësuesit e përhershëm të vendeve anëtare.

“Sot Këshilli miratoi në lexim të parë pozicionin e vet për udhëtimin pa viza për bartësit e pasaportave të lëshuara nga Kosova. Rregullat e reja do të lejojnë qytetarët e Kosovës të udhëtojnë në vendet e Bashkimin Evropian pa një vizë dhe të qëndrojnë në këto vende për 90 ditë gjatë periudhës prej 180 ditësh”, thuhet në një njoftim të këtij Këshilli, kryesinë e të cilit aktualisht e ka Suedia.

Ministrja suedeze e Migracionit, Maria Malmer Stenegard, tha pas miratimit të këtij vendimi se Kosova ka bërë përpjekje të mëdha për të përshtatur politikën e vizave me atë të Bashkimit Evropian.

“Kosova ka bërë përpjekje të mëdha për të përmirësuar menaxhimin e migracionit dhe sigurinë si dhe për të përshtatur politikën e saj të vizave me atë të BE-së. Shpresojmë se bashkëpunimi ynë në këtë fushë do të vazhdojë”, tha ajo.

Sipas njoftimit qytetarët e Kosovës nuk do të kenë nevojë të kërkojnë vizë për udhëtim që nga data kur sistemi evropian i udhëtimit – ETIAS të jetë funksional dhe më së largu nga një janari i vitit 2024.

ETIAS është sistemi në të cilin qytetarët e huaj, të cilët udhëtojnë pa viza në territorin e Bashkimit Evropian duhet t'i regjistrojnë të dhënat e tyre para udhëtimit.

Raportuesi për çështjen e liberalizimit të vizave për Kosovën, holandezi Thijs Reuten, mirëpriti vendimin duke e cilësuar atë si hap shumë të rëndësishëm.

“Më së voni më një janar të vitit 2024 Kosova do të ketë liberalizimin e vizave shumë të merituar dhe të shumëpritur”, shkroi ai në rrjetet sociale.

Ai tha se “së shpejti pritet të ndodhë edhe votimi në Komitetin e Punëve të Brendshme e pastaj edhe në seancën plenare të Parlamentit Evropian”, ku Kosova nuk pritet të ketë ndonjë problem.

Në vitin 2012 Komisioni Evropian i dha Kosovës udhërrëfyesin për këtë çështje dhe më 2018 rekomandoi liberalizimin e vizave për Kosovën të cilin e përsëriti në tetor të viti të kaluar.

Kosova është vendi i vetëm i Ballkanit Perëndimor, qytetarët e të cilit nuk e kanë të drejtën e lëvizjes së lirë në territorin e Bashkimit Evropian.

XS
SM
MD
LG