Qeveria e Maqedonisë së Veriut dhe konsorciumi "Bechtel Enka" firmosën në Shkup marrëveshjen për ndërtimin e pjesëve të autostradës së korridorit 8 dhe 10-d në një gjatësi prej rreth 110 kilometrash. Projekti do të kushtojë 1.3 miliardë euro. Autoritetet e quajnë një projekt madhor që do të lehtësojë trafikun dhe lidhjen me vendet fqinje. Por, opozita maqedonase hedh dyshime për korrupsion të qeverisë në këtë çështje.
Maqedonia e Veriut po fillon një fazë të rëndësishme të ndërtimit të autostradave; një gjë që i ka munguar në veçanti pjesës perëndimore të vendit. Qeveria në Shkup formosi të mërkuren marrëveshjen me konsorciumin e njohur "Bechtel Enka" për ndërtimin e autostradës në pjesën e korridorit 8 dhe 10-d.
Projekti në kuadër të "Korridorit 8" do të lidh Tetovën, Gostivarin, Kërçovën, Strugën deri në Qafë Thanë në kufirin me Shqipërinë në një gjatësi prej 68 kilometrash, si dhe Prilepin me Manastirin, në anën tjetër në një gjatësi prej rreth 40 kilometrash, si pjesë e Korridorit 10-d. Autostradat do të jenë me nga gjashtë korsi dhe punimet duhet të përfundojnë në një afat prej pesë vjetësh.
Vlera e këtij projekti është 1.3 miliardë Euro.
Autoritetet qeveritare e shikojnë këtë si investim historik që do të ketë efekte pozitive ndaj ekonomisë dhe jetës së qytetarëve të këtij vendi.
Kryeministri Dimitar Kovaçevski tha se ndërtimi i autostradave ka një rëndësi të veçantë për ngritjen e cilësisë së infrastrukturës rrugore; se kjo e bën vendin një pikë kyçe dhe portë të Evropës përmes lidhjes së Detit të Zi me Adriatikun. “Në këtë mënyrë ndërtohet e ardhmja evropiane e Maqedonisë së Veriut por edhe e fqinjëve të saj”, tha ai.
Zëvendës-kryeministri Artan Grubi, në cilësinë e drejtuesit të Komisionit për negociatat me konzorciumin "Bechtel Enka", falënderoi ne veçanti Ambasadën amerikane në Shkup që ndihmoi me këshilla gjatë gjithë procesit.
Drejtori i Kompanisë Bechtel, Mark Allison tha se kompania i zbaton me përgjegjësi standardet më të larta në ndërtimet e këtilla:
“Kjo do ta përmirësojë lidhjen në të gjithë rajonin dhe në vetë Maqedoninë e Veriut”, tha zoti Allison.
Nga ana tjetër, kritikët shprehin dyshime për këtë projekt, bisedimet për të cilin kanë zgjatur dy vjet. Opozita maqedonase dhe një pjesë e medias vendore dyshojnë në afera korrupsioni të qeverisë ndërsa i bëhet vërejtje çështjes së angazhimit të kompanisë IRD-Ingeneering për mbikqyrjen e ndërtimit të autostradës, që sipas VMRO-DPMNE-së është e lidhur me konzorciumin "Bechtel Enka".
Ndërkohë, punimet në autostradën Kërçovë – Ohër që kanë filluar prej para tetë vitesh dhe nuk kanë përfunduar.
Korrupsioni është një problem që ka shkaktuar rënien e besimit të qytetarëve tek institucionet dhe në veçanti në gjyqësor.
Ambasadorja amerikane Angela Aggeler u tha gazetarëve se korrupsioni nuk është lehtë të çrrënjoset brenda një periudhe të shkurtër kohore, por se SHBA-të po e ndihmojnë Maqedoninë e Veriut në këtë përpjekje.
“Ne duam të jemi partner me këtë shtet, në atë mënyrë që t’u bëhet e qartë qytetarëve të këtushëm se ky sistem është për ata; por kjo do të marrë kohë. Megjithatë, është çështje me përparësi”, tha ambasadorja.